U zhduk në 31 dhjetor, gjendet në një kontejner mbeturinash trupi i pajetë i gazetarit, raportoi për korrupsionin në ndërtim

Azia

U zhduk në 31 dhjetor, gjendet në një kontejner mbeturinash trupi i pajetë i gazetarit, raportoi për korrupsionin në ndërtim

Më: 6 janar 2025 Në ora: 23:58
Mukesh Chandrakar

Trupi i pajetë i gazetarit investigativ indian, Mukesh Chandrakar është gjetur në një kontejner mbeturinash disa ditë pasi ishte shpallur i humbur nga autoritetet lokale.

Mukesh Chandrakar, 32 vjeç, ishte gazetar i pavarur në shtetin indian të Chhattisgarh. Ai raportoi për korrupsionin në industrinë e ndërtimit në kanalin e tij në YouTube, Bastar Junction.

Policia e gjeti trupin e tij të pajetë në një kontejner të shpërbërjes së mbeturinave, në distriktin Bijapur të Chhattisgarh. Chandrakar ishte shpallur i humbur që nga nata e Vitit të ri nga autoritetet lokale.

Në lidhje me ngjarjen policia ka arrestuar katër persona, duke përfshirë tre të afërm të tij, sipas raportimit të Sky News.

Vdekja e Chandrakar mendohet të jetë e lidhur me një hetim të tijin për një projekt ndërtimi rrugësh në rajonin e Bastarit. Hetimi i tij tërhoqi vëmendjen e qeverisë që më pas filloi një investigim më të thellë për rast të mundshëm korrupsioni.

Autopsia e trupit të gazetarit tregoi se ai kishte pësuar lëndime me sende të mprehta në kokë dhe brinjë, qafë të thyer dhe zemra i ishte nxjerrë barbarisht nga kraharori. Këshilli Indian i Shtypit ka bërë thirrje që të kryhet një investigim i detajuar për rastin tragjik.

Vishnu Deo Sai, kryeministri i Chhattisgarh, tha se vdekja e Chandrakar ishte rast tepër pikëllues dhe premtoi se ata që janë përgjegjës për vdekjen e tij do të vendosen para drejtësisë dhe do të marrin dënimin maksimal.

India u rendit e 159-ta nga 180 vende për vitin 2024 në sondazhin për lirinë e shtypit nga World Press Freedom Index. Sipas shifrave mesatarisht tre ose katër gazetarë indianë vriten çdo vit për shkak të investigimeve që kryejnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat