Koreja e Veriut tha se prova më e fundit e saj ishte me raketat e reja hipersonike me rreze të mesme, të cilat janë projektuar për të goditur objektiva në zona të largëta të Paqësorit. Udhëheqësi Kim Jong Un është zotuar ta zgjerojë më tej arsenalin e armëve me aftësi bërthamore, për t’iu kundërvënë vendeve rivale.
Koreja e Veriut demonstroi sisteme të shumta armatimesh vitin e kaluar, të cilat mund të godasin vendet fqinje dhe Shtetet e Bashkuara, përfshirë raketat balistike ndërkontinentale.
Ekzistojnë shqetësime se aftësitë e saj ushtarake mund të avancojnë më tej nëpërmjet transferimit të teknologjisë nga Rusia, ndërsa dy vendet po bashkërendojnë veprimet për luftën në Ukrainë. Udhëheqësi koreanoverior Kim përsëriti se përpjekjet bërthamore synojnë t’i kundërvihen kërcënimeve nga forcat armiqësore, por nuk përmendi drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara.
Njoftimi në median shtetërore koreanoveriore u bë pasi ushtria e Koresë së Jugut njoftoi dje se pati diktuar nisjen e raketës, e cila përshkoi një distancë prej 1,100 kilometrash përpara se të rrëzohej në ujërat ndërmjet Gadishullit Korean dhe Japonisë. Kjo provë me raketa, e bërë vetëm pak javë përpara se Donald Trump-i të rikthehet si president i Shteteve të Bashkuara, pasoi një vit me prova të shumta me raketa./VOA