‘Kutia e zezë’ ndaloi regjistrimin katër minuta para rrëzimit – detaje të reja mbi aksidentin ajror në Korenë e Jugut

Azia

‘Kutia e zezë’ ndaloi regjistrimin katër minuta para rrëzimit – detaje të reja mbi aksidentin ajror në Korenë e Jugut

Më: 11 janar 2025 Në ora: 10:32
Foto ilustrim

Të dhënat e fluturimit dhe regjistruesit e zërit në kabinën e aeroplanit të Jeju Air që u rrëzua më 29 dhjetor ndaluan regjistrimin rreth katër minuta përpara se aeroplani të godiste një strukturë betoni në aeroportin Muan të Koresë së Jugut, ka njoftuar ministria e transportit.

Bëhet e ditur se autoritetet që hetojnë katastrofën që vrau 179 njerëz, më e keqja në tokën e Koresë së Jugut, planifikojnë të analizojnë se çfarë i shkaktoi “kutitë e zeza” të ndalonin regjistrimin.

Regjistruesi i zërit fillimisht u analizua në Korenë e Jugut dhe kur u zbulua se të dhënat mungonin, u dërgua në një laborator të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA-së.

Jeju Air 7C2216, i cili u nis nga kryeqyteti i Tajlandës Bangkok për në Muan në Korenë jugperëndimore,  shpërtheu në flakë pasi goditi një mur betoni, shkruan Reuters.

Pilotët i thanë kontrollit të trafikut ajror se aeroplani kishte pësuar një goditje nga zogjtë, gjë që thuhet të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit dhe deklaruan emergjencë rreth katër minuta para se të përplasej.

Sim Jai-dong, ish-hetues aksidentesh në ministrinë e transportit, tha se zbulimi i të dhënave të munguara nga minutat vendimtare ishte befasues dhe sugjeron që e gjithë energjia, përfshirë rezervën, mund të jetë ndërprerë, gjë që është e rrallë.

Ndër tjera, ministria deklaroi se të dhëna të tjera të disponueshme do të përdoren në hetim dhe se do të siguronte që hetimi të ishte transparent dhe që informacioni të ndahej me familjet e viktimave.

Ndyrshe, disa anëtarë të familjeve të viktimave kanë thënë se ministria nuk duhet të marrë drejtimin në hetim, por se duhet të përfshijë ekspertë të pavarur, duke përfshirë ata të rekomanduar nga familjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat