Pas një sërë goditjesh të mëdha, Irani është më i dobët dhe më i cenueshëm seç ka qenë prej vitesh.
Viti 2024 ishte ndëshkues për këtë shtet, pasi përjetoi dobësim të ndikimit rajonal.
Forca e tij ushtarake kundër armiqve të përhershëm, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, u dobësua, ndërsa ekonomia e tij u zhyt në krizë të thellë.
Ekspertët thonë se Republika Islamike duhet të marrë vendime të vështira këtë vit, kur presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, merr detyrën dhe marrëveshja bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore skadon.
“Pres që viti 2025 të jetë një vit sfidash dhe zgjedhjesh të vështira për Teheranin, pasi regjimi do të përballet me administratën e re të Trumpit dhe do të përpiqet ta përballojë qasjen e tij të ashpër”, thotë Sanam Vakil, drejtoreshë e Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore në Institutin Chatham House, me qendër në Londër.
Në pozitë mbrojtëse
Një goditje mbi ambiciet rajonale të Iranit ishte rënia nga pushteti e aleatit të tij të ngushtë, presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Nën udhëheqjen e Assadit, Siria ishte pjesë e “boshtit të rezistencës” - një rrjet i partnerëve rajonalë të Iranit - dhe i mundësonte këtij vendi t’i furnizonte aleatët e tij jashtë.
Ky rrjet përfshinte edhe Hezbollahun, parti politike dhe grup i armatosur në Liban, i cili, prej dekadash, ishte partneri më i rëndësishëm i Iranit.
Hezbollahu, dikur një forcë me ndikim, tani është kthyer në hije të vetvetes.
Kjo, pasi bombardimet ajrore dhe pushtimi tokësor nga Izraeli ia kanë dëmtuar fuqinë ushtarake dhe ia kanë shkatërruar udhëheqjen e lartë.
Në anën tjetër, lufta e Izraelit në Rripin e Gazës kundër Hamasit - organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, por aleate e Iranit - e ka lënë Teheranin me pak ndikim edhe në enklavën palestineze.
E, situata nuk është e mirë as brenda Iranit. Kjo, sepse monedha kombëtare ka humbur mbi 60% të vlerës ndaj dollarit amerikan vitin e kaluar.
Po ashtu, autoritetet iraniane kanë hequr dorë nga ligji i diskutueshëm për të ashpërsuar rregullat për veshjen e hixhabit, nga frika e revoltës së publikut.
Hamidreza Azizi, një studiues në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, thotë se regjimi klerik i Iranit është në një “situatë kritike”.
“Kjo mund të jetë faza më sfiduese në historinë e Republikës Islamike që nga lufta me Irakun (1980-1988), ose ndoshta edhe më e rëndë”, thotë ai.
Sipas tij, edhe vetë establishmenti “është duke vënë në pikëpyetje vlefshmërinë” e politikave të vendit, si brenda ashtu edhe jashtë tij.
Viti 2025, po ashtu, mund të jetë vendimtar për programin bërthamor të Iranit, pasi marrëveshja bërthamore e vitit 2015 - edhe ashtu jofunksionale - do të skadojë në tetor.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha këtë javë se programi bërthamor i Teheranit po i afrohet “pikës së pakthimit” - komente që Irani i cilësoi si “mashtruese”.
“Terapi e shokut”
Irani po përballet me pasojat e investimeve të dobëta me vite, brenda dhe jashtë vendit, të cilat e kanë sjellë atë në një situatë kritike, thotë Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington.
“Irani ka nevojë për një terapi shoku... një tronditje të madhe për ta shpëtuar ndoshta nga ky regjim”, thotë ai.
Analistët thonë se Teherani duhet të bëjë ndryshime të mëdha politike dhe të marrë vendime të mëdha, duke u angazhuar me administratën Trump, për ta parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit si president, nga viti 2017 deri më 2021, administrata e tij ka ndjekur një fushatë të “presionit maksimal” ndaj Iranit, që ka përfshirë vendosjen e sanksioneve të ashpra kundër tij.
“Duket se ka një konsensus në rritje mes qarqeve politike në Teheran se, marrë parasysh kompleksitetet në frontet e brendshme dhe të jashtme, arritja e një marrëveshjeje [bërthamore] është rruga më pragmatike”, thotë Azizi.
Ndërkohë që “bota duhet ta mirëpresë” një marrëveshje të tillë, ajo mund të mos jetë e mjaftueshme për ta shpëtuar regjimin klerik, thotë Vatanka.
“Nuk ka asgjë që Trump ose kushdo tjetër mund të bëjë për problemin kryesor me të cilin përballet regjimi në Iran - ai e ka humbur popullin e vet”, thotë ai, duke iu referuar pakënaqësisë në rritje të publikut, viteve të fundit./REL