Shkalla e infektimeve nga virusi metapneumovirus (HMPV), i ngjashëm me gripin, ka shënuar një rënie në veri të Kinës, sipas zyrtarëve shëndetësorë. Rritja e infeksioneve me HMPV javë më parë kishte shkaktuar shqetësim për mundësinë e një pandemie globale.
HMPV-ja, i njëjtë me virusin sincicial respirator, shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe ftohjen, si ethe, kollë dhe bllokim të hundës. Shpesh këto simptoma kalojnë vetë, por mund të shkaktojnë infeksione të traktit të poshtëm respirator, sidomos te fëmijët, të moshuarit dhe ata me imunitet të dobësuar.
Wang Liping, një hulumtuese në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shpjegoi se metapneumovirusi nuk është i ri dhe ka qenë i pranishëm te njerëzit për dekada. Ajo gjithashtu theksoi se rritja e rasteve të HMPV në vitet e fundit është pasojë e përmirësimit të metodave të diagnostikimit.
Në këtë periudhë, shkalla e infeksioneve me HMPV në veri të Kinës ka rënë, si dhe ka nisur të bjerë edhe numri i rasteve tek fëmijët nën moshën 14 vjeçare. Përhapja e infeksioneve në Kinën veriore ka shkaktuar shqetësime, duke përfshirë pamje të spitaleve të mbushura me pacientë të maskuar, por Organizata Botërore e Shëndetësisë ka theksuar se nuk ka pasur shpërthime të pazakonta të infeksioneve.
Mjekët kanë vënë në dukje se sëmundjet respiratore që po prekin popullatën në Kinë shkaktohen nga patogjenë të njohur dhe nuk ka shfaqur sëmundje të reja infektive. Pavarësisht rritjes së pacientëve në klinika dhe repartet e urgjencës, ky numër është ende më i ulët krahasuar me vitin e kaluar.
Për momentin, nuk ka trajtim të veçantë ose vaksinë për HMPV dhe trajtimi mjekësor është kryesisht simptomatik. Ekspertët rekomandojnë masa parandaluese si larja e duarve, shmangia e vendeve të mbipopulluara dhe mbajtja e maskës.