Bisedimet për armëpushimin në Gaza dhe lirimin e pengjeve izraelite janë në “fazën përfundimtare”, sipas burimeve nga Katari.
BBC raporton se ekzistojnë shenja të mundshme që Izraeli dhe Hamasi mund të arrijnë një marrëveshje armëpushimi, më shumë se 15 muaj pas fillimit të luftës në Gaza. Bisedimet rifilluan këtë mëngjes në Doha, me ndërmjetësuesin kryesor të Katarit që tha se një marrëveshje është “shumë afër”.
Një zyrtar izraelit i tha BBC-së se është bërë “progres i vërtetë” gjatë ditëve të fundit, por marrëveshja ende nuk është finalizuar. Udhëheqësi i Iniciativës Kombëtare Palestineze, një parti politike palestineze, po ashtu e konfirmoi se Hamasi ka pranuar marrëveshjen.
Ndërkohë, një ekspert i ndërmjetësimit sugjeroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të shtyjë arritjen e marrëveshjes deri më 20 janar, në prag të betimit të Donald Trump si president i SHBA-së, duke e cilësuar këtë si një “dhuratë për presidentin e ri.”
Lufta në Gaza filloi pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku rreth 1,200 izraelitë u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng në Gaza. Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në përgjigje, ndërsa ministria e shëndetësisë e Gaza-s njofton se më shumë se 46,600 njerëz janë vrarë gjatë luftës.