Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, u dërgua sot në një qendër paraburgimi në periferi të kryeqytetit Seul. Ai do të mbahet aty për 48 orë, ndërsa pritet vendimi i prokurorëve nëse do të kërkojnë urdhër arresti për të. Paraprakisht, zoti Yoon u mor në pyetje për rreth 10 orë nga agjencia kundër korrupsionit pas bastisjes së rezidencës së tij presidenciale më herët gjatë ditës. Zoti Yoon akuzohet për kryengritje pasi me 3 dhjetor shpalli përkohësisht gjendjen e jashtëzakonshme. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo kjo i jep fund përplasjes disajavore mbi statusin aktual të zotit Yoon, të cilin parlamenti e ka shkarkuar, por vendimi përfundimtar është në duart e Gjykatës Kushtetuese.
Yoon Suk Yeol bëhet presidenti i parë koreano jugor në detyrë që dërgohet në një qendër paraburgimi. Prokurorët kanë tani afat 48 orë për të kërkuar nga gjykata mbajtjen e tij nën arrest.
Ai u mor në pyetje për 10 orë nga oficerët e Zyrës së Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë, CIO, pas bastisjes së rezidencës së tij të mërkurën në mëngjes. Ai akuzohet për kryengritje pas shpalljes jetëshkurtër të gjendjes së jashtëzakonshme, muajin e kaluar.
Para se të paraburgosej mbështetësit e Presidentit u përleshën me policinë afër rezidencës së tij, në qendër të Seulit.
Megjithatë ata nuk arritën të ndalonin policinë të hyjë në kompleksin e zotit Yoon.
Rreth 1,000 oficerë policie u mobilizuan për këtë operacion, raportuan mediat lokale. Autoritetet kishin paralajmëruar se ishin të përgatitur të përdornin taktika më të forta sesa kishin bërë në përpjekjen e parë për të arrestuar zotin Yoon, dy javë më parë.
Pas disa orësh negociata me zotin Yoon dhe ekipin e tij ligjor, ngërçi u zgjidh, pa dhunë.
Ai u largua me një autokolonë, duke ruajtur imazhin presidencial. Pavarësisht rrethanave, zoti Yoon është presidenti i parë i Koresë së Jugut që dërgohet në paraburgim.
Para se të dorëzohej, zoti Yoon ishte zotuar se do të luftonte deri në fund.
“Veprime të tilla të përsëritura të paligjshme të bazuara në një urdhër të pavlefshëm janë thellësisht të pështira”, tha zoti Yoon.
Ngjarjet e të mërkurës ndodhën në vazhdën e një periudhe të trazuar politike që filloi më 3 dhjetor, kur Presidenti Yoon, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Ajo u shfuqizua shpejt nga ligjvënësit, të cilët më vonë votuan për shkarkimin e tij, duke pezulluar kompetencat presidenciale. Megjithatë, vendimi përfundimtar për shkarkimin e tij tani është në duart e Gjykatës Kushtetuese të vendit./VOA