Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje të mërkurën për ndaljen e luftimeve në Rripin e Gazës dhe për këmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë, raportojnë Associated Press, BBC dhe Reuters.
Arritja e marrëveshjes i hap rrugën përfundimit të luftës mbi njëvjeçare në Gazë, e cila e ka trazuar Lindjen e Mesme.
Zyrtarët nga Katari dhe Hamasi thanë se është arritur një armëpushim për të ndaluar përkohësisht luftën e Izraelit në Gaza dhe për t'i liruar dhjetëra pengje.
Marrëveshja pason muaj negociatash me ndërprerje, të cilat u ndërmjetësuan nga Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dhe u arrit pak para inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, më 20 janar.
Hamasit është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Në prag të marrjes së detyrës zyrtarisht, Trumpi e ka përsëritur kërkesën e tij që marrëveshja të arrihet shpejt, duke paralajmëruar vazhdimisht se do të kishte "pasoja të rënda" nëse pengjet nuk do të liroheshin.
I dërguari i tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, bashkëpunoi me ekipin e presidentit në shkuarje, Joe Biden, për ta finalizuar marrëveshjen.
Në Izrael, kthimi i pengjeve mund të lehtësojë një pjesë të zemërimit publik ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Qeverisë së tij të djathtë për dështimin e sigurisë më 7 tetor, që çoi në ditën më të përgjakshme në historinë e vendit.
Konflikti u përhap në të gjithë Lindjen e Mesme, me sulme ndaj Izraelit nga grupet e mbështetura nga Irani në Liban, Irak dhe Jemen, si shenjë solidariteti me palestinezët. Marrëveshja u arrit pasi Izraeli vrau drejtuesit kryesorë të Hamasit dhe grupit libanez, Hezbollah, duke siguruar një epërsi strategjike.
Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi thyen mbrojtjet kufitare dhe u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Rreth 100 pengje janë ende brenda Gazës, dhe besohet se një e treta e tyre janë të vdekur.
Prej atëherë, lufta e Izraelit i ka vrarë mbi 46.000 palestinezë në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.