Zyra e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se marrëveshja e armëpushimit me Hamasin ende nuk është arritur dhe se detajet e fundit të kësaj marrëveshje ende janë duke u shqyrtuar. Njoftimi nga zyra e tij vjen pasi një numër ndërmjetësish thanë se Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për një marrëveshje armëpushimi në Gazë dhe lirimin e dhjetëra pengjeve pas luftës 15 mujore.
Zyra e Kryeministrit Netanyahu tha përmes një deklarate se ka ende detaje të pazgjidhura dhe shpresonte se “zgjidhja e tyre do të përfundonte sonte”.
Në Khan Younis, një qytet në Rripin e Gazës, palestinezët e pritën me gëzim lajmin për arritjen e armëpushimit.
Marrëveshja pritet të ndërprej përkohësisht luftimet dhe jep shpresë për përfundimin e njërit prej konflikteve më të përgjakshme mes Izraelit dhe Hamasit, që destabilizoi tërë Lindjen e Mesme dhe nxiti protesta nëpër gjithë botën.
Paraprakisht, zyrtarë pranë bisedimeve njoftuan më herët të mërkurën se Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për armëpushim në Gazë, pas konfliktit 15 muajsh me dhjetëra mijëra vikatima dhe që tronditi Lindjen e Mesme.
Qeveria e Izraelit do të votojë për marrëveshjen ditën e enjte, sipas një zytari qeveritar izraelit.
Marrëveshja, e cila ende nuk është shpallur zyrtarisht, parasheh një fazë fillestare të armëpushimit prej gjashtë javësh dhe përfshin një tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli, i tha një zyrtar agjencisë së lajmeve Reuters.
Marrëveshja vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme për të ndërmjetësuar një marrëveshje nga Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Marrëveshja u arrit në prag të inaugurimit të Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, që do të mbahen me 20 janar.
Hamasi i tha agjencisë Reuters se delegacioni i tij u ka dorëzuar ndërmjetësve miratimin e grupit militant për marrëveshjen e armëpushimit dhe për kthimin e pengjeve.
Marrëveshja parasheh futjen e 600 kamionëve me ndihma humanitare çdo ditë në Gazë , 50 prej të cilëve me karburant, ndërkohë që gjysma e tyre do të dërgohen në pjesën veriore të Gazës.
Negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes pritet të fillojnë para ditës së 16 të fazës së parë dhe pritet të përfshijnë lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura, si dhe të ushtarëve izraelitë të marrë peng nga Hamasi. Negociatat do të trajtojnë edhe armëpushimin e përhershëm dhe tërheqjen e plotë të ushtarëve izraelitë.
Presidenti i zgjedhur Trump mbështet marrëveshjen e armëpushimit
Presidenti i zgjedhur Donald Trump përshëndeti marrëveshjene e armëpushimit në Rripin e Gazës, e cila përfshinë lirimin e një pjese të pengjeve përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social.
“Ne kemi një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Lindjen e Mesme. Ata do të lirohen së shpejti. Faleminderit!”, thuhet në postimin e Presidentit të zgjedhur Trump.
I dërguari i posaçëm i Presidentit të zgjedhur Trump iu bashkua këshilltarit të Presidentit Biden për Lindjen e Mesme në bisedimet e zhvilluara në Doha të Katarit.
“Marrëveshja epike e armëpushimit u bë e mundur për shkak të fitores sonë historike në nëntor, që sinjalizoi të gjithë botën se administrata ime kërkon paqe dhe marrëveshje të nogociuara për të garantuar sigurinë e të gjithë amerikanëve dhe aleatëve tanë”, thuhet në postimin e zotit Trump. “Jam i gëzuar që pengjet amerikane dhe izraelite do të kthehen në shtëpi dhe do të bashkohen me familjet dhe të dashurit e tyre”.
Presidenti i zgjedhur Trump u zotua javën e kaluar se nëse nuk do të arrihej një marrëveshje armëpushimi para fillimit të mandatit të tij, atëherë Hamasi do të përballej me pasoja të mëdha.
Zoti Trump gjithashtu tha se i dërguari i tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff do të vazhdojë “të punojë ngushtë me Izraelin dhe aleatët tanë për t’u siguruar që Gaza kurrë të mos bëhet strehë e sigurtë për terroristët”./VOA