Përplasje mbi marrëveshjen e armëpushimit mes Netanyahut dhe Hamasit

Azia

Përplasje mbi marrëveshjen e armëpushimit mes Netanyahut dhe Hamasit

Më: 16 janar 2025 Në ora: 08:24
Përplasje mbi marrëveshjen e armëpushimit mes Netanyahut dhe Hamasit

Benjamin Netanyahu ka pretenduar se Hamasi është tërhequr nga një kuptim i mëparshëm i marrëveshjes së armëpushimit, e cila është në pritje të miratimit të qeverisë izraelite.

Kryeministri izraelit tha se grupi po kundërshtonte një pjesë të marrëveshjes që do t’i jepte Izraelit mundësinë për të vënë veton për lirimin e disa të burgosurve palestinezë.

Hamasi po përpiqej të diktonte se cilët të burgosur palestinezë do të liroheshin, tha ai.

“Ndër të tjera – në kundërshtim me një klauzolë specifike që i jep Izraelit të drejtën e vetos mbi lirimin e vrasësve masivë që janë simbole të terrorizmit, Hamasi po kërkon të diktojë identitetin e këtyre terroristëve”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë, raporton Skynews.

Tutje theksohet se Netanyahu u ka thënë negociatorëve izraelitë që të qëndrojnë të vendosur në marrëveshjen e mëparshme. Hamasi ende nuk është përgjigjur.

Çdo marrëveshje do të duhet të miratohet nga kabineti i sigurisë i Netanyahut dhe më pas nga qeveria e tij.

Që kur është shpallur marrëveshja, të paktën 32 persona janë vrarë në bombardimet e forta izraelite në Gaza, raportuan mjekët.

Sulmet vazhduan deri të enjten në mëngjes, duke rrafshuar shtëpitë në Rafah në Gazën jugore, Nuseirat në Gazën qendrore dhe në Gazën veriore, thanë banorët vendas.

Marrëveshja e armëpushimit nuk hyn në fuqi deri të dielën.

Njoftimi vjen pas javësh negociatash të mundimshme në Doha në sfondin e një lufte në Gaza që ka lënë dhjetëra mijëra palestinezë të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur dhe të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Pjesa më e madhe e territorit me popullsi të dendur është rrafshuar me tokë pasi Izraeli nisi ofensivën tokësore pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, të cilat lanë 1200 të vdekur dhe rreth 250 njerëz të marrë peng.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat