Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të enjten se një “krizë e momentit të fundit” me Hamasin është duke e vonuar miratimin e një marrëveshjeje të shumëpritur për ndaljen e luftimeve në Rripin e Gazës dhe për lirimin e dhjetëra pengjeve.
Ndërkohë, bombardimet izraelite i kanë vrarë dhjetëra njerëz të enjten në Gazën e rrënuar nga lufta.
Zyra e Netanyahut tha se kabineti nuk do të takohet për ta miratuar marrëveshjen derisa Hamasi të tërhiqet, pasi e akuzoi grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE se po shkel pjesë të marrëveshjes në përpjekje për të fituar më shumë koncesione.
Izzat al-Rashq - zyrtar i lartë i Hamasit, tha se grupi militant është “i përkushtuar ndaj marrëveshjes për armëpushim, e cila u bë e ditur nga ndërmjetësit”.Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ndërmjetësi kryesor, Katari, njoftuan të mërkurën për arritjen e marrëveshjes, e cila parasheh lirimin e dhjetëra pengjeve izraelite në Gazë dhe ndaljen e luftës 15-mujore, që ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka nxitur protesta në gjithë botën.
Më herët, zyra e Netanyahut e akuzoi Hamasin se u tërhoq nga një mirëkuptim i mëparshëm që do t’i mundësonte Izraelit të vendoste se cilët të burgosur të dënuar për vrasje mund të liroheshin në këmbim të pengjeve.
Netanyahu është përballur me trysni të madhe brenda vendit për t’i kthyer në shtëpi dhjetëra pengje që po mbahen në Gazë, por partnerët e ekstremit të djathtë në koalicionin e tij kanë kërcënuar se do ta rrëzojnë qeverinë e tij, nëse ai bën shumë lëshime.
Ndërkohë, bombardimet izraelite gjatë ditës së fundit kanë vrarë së paku 48 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Rreth gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë, tha për Associated Press Zaher al-Wahedi, kryetar i departamentit për regjistrim në këtë Ministri.
Çfarë dihet për marrëveshjen e armëpushimit?
Hollësitë e marrëveshjes ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht, por ka një pasqyrë të asaj se si do të duket ajo sipas komenteve të zyrtarëve dhe raportimeve në media bazuar në draftet e rrjedhura të marrëveshjes.
Në fazën e parë do të nisë një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit trupat izraelite do të tërhiqen dalëngadalë nga qendra e Gazës.
Gjatë kësaj faze, Hamasi do t’i lirojë 33 pengje – që pritet të jenë kryesisht gra, të moshuar dhe të sëmurë – në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.
Disa pengje u liruan në nëntor 2023 në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë. Hamas ende mban 94 pengje, por Izraeli beson se vetëm 60 prej tyre janë ende gjallë.
Palestinezët e zhvendosur si pasojë e luftës do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre në fazën e parë të marrëveshjes, ndërsa ndihma humanitare do të fillojë të hyjë në enklavën e drejtuar nga Hamasi. Gati të gjithë 2.3 milionë banorët e Gazës u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e tyre gjatë luftës.
Negociatat e mëtejshme për fazën e dytë dhe të tretë të marrëveshjes do të fillojnë në ditën e 16-të të zbatimit të marrëveshjes, dhe analistët thonë se kjo mund të jetë sfida e parë e vërtetë për jetëgjatësinë e armëpushimit.
Faza e dytë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve të mbetura dhe, më e rëndësishmja, përfundimin e luftës.