Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir ka dhënë dorëheqjen nga qeveria në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit.
Ministri i ekstremit të djathtë ka kritikuar më parë marrëveshjen si dorëzim ndaj Hamasit dhe kërcënoi se do të jepte dorëheqjen nëse ajo miratohej.
Bëhet e ditur se dy ministra të tjerë nga partia Otzma Yehudit e Ben-Gvir kanë dhënë gjithashtu dorëheqjen lidhur me marrëveshjen, shkruan skynews.
Partia Otzma Yehudit nuk është më pjesë e koalicionit qeverisës, por ka njoftuar se nuk do të përpiqet të rrëzojë qeverinë e Netanyahut.
Ndryshe, së fundmi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se armëpushimi nuk do të hyjë në fuqi deri sa Hamasi nuk zbulon listën e pengjeve.
Ndërkohë, Hamasi arsyetoi vonesën në dorëzimin e emrave për “arsye teknike në terren” dhe tha në një deklaratë se ishte i vendosur ndaj marrëveshjes së armëpushimit.
Në fazën e parë, marrëveshja do të bënte që 33 nga 98 pengjet të liroheshin gjatë gjashtë javëve – gjysma e të cilëve besohet se janë ende gjallë.
Pjesa tjetër do të lirohet në një fazë të dytë që do të negociohet gjatë së parës.