VOA/ Armëpushimi Izrael-Hamas hyn në fuqi pas një vonese disa orëshe

Azia

VOA/ Armëpushimi Izrael-Hamas hyn në fuqi pas një vonese disa orëshe

Më: 19 janar 2025 Në ora: 12:07
Gaza

Armëpushimi i pritshëm midis Izraelit dhe Hamasit filloi të zbatohet të dielën, pas një vonese prej rreth tri orësh, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se nuk do të fillonte nëse Hamasi nuk siguronte një listë të tre pengjeve që pritet të lirohen të dielën.

"Kryeministri udhëzoi IDF-në (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) që armëpushimi, i cili supozohet të hyjë në fuqi në orën 8:30 të mëngjesit, nuk do të fillojë derisa Izraeli të ketë listën e të rrëmbyerve që Hamasi është zotuar ts sigurojë", tha të dielën zyra e kryeministrit.

Hamasi përfundimisht dorëzoi emrat dhe Izraeli tha se armëpushimi do të fillonte në orën 11:15, sipas kohës lokale.

Hamasi arsyetoi vonesën për shpalljen e emrave me shkaqe "teknike", duke shtuar në një deklaratë se po "ritheksonte angazhimin e tij" për marrëveshjen e armëpushimit.

Armëpushimi do të fillojë të dielën në mëngjes në orën 8:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale, thanë të shtunën ndërmjetësuesit nga Katari, pasi kabineti i Izraelit votoi për miratimin e marrëveshjes për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve.

Pas një takimi që zgjati më shumë se gjashtë orë në mëngjesin e së shtunës, qeveria izraelite ratifikoi marrëveshjen që mund të çojë në fundin e luftës 15-mujore me Hamasin në enklavën e rrethuar të Gazës.

"Qeveria ka miratuar kuadrin për kthimin e pengjeve.... që do të hyjë në fuqi të dielën", tha zyra e kryeministrit Netanyahu në një deklaratë.

Por më vonë të shtunën, zoti Netanyahu tha se Izraeli nuk do të vazhdojë me armëpushimin derisa të marrë listën e pengjeve që do të lirohen nga Hamasi në fazën e parë të marrëveshjes.

"Izraeli nuk do të tolerojë shkeljen e marrëveshjes. Përgjegjësia është e Hamasit," tha kryeministri Netanyahu në një deklaratë në platformën e mediave sociale X.

Gjithashtu të shtunën, ministri ultra-nacionalist i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir dha dorëheqjen nga kabineti i Netanyahut në shenjë proteste ndaj marrëveshjes së armëpushimit, sipas raporteve të mediave. Ai më parë tha se marrëveshja ishte "e pamatur" dhe se do të "shlyente arritjet e luftës".

Në një deklaratë të së shtunës, Hamasi, i cilësuar si një grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vendet e tjera perëndimore, pretendoi se Izraeli "kishte dështuar të arrinte qëllimet e tij agresive" dhe "kishte shënuar sukses vetëm në kryerjen e krimeve të luftës që turpërojnë dinjitetin e njerëzimit”.

Lufta në Gaza filloi kur Hamasi kreu një sulm terrorist në Izrael më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer rreth 250 veta. Nga këta pengje, pak më pak se 100 mendohet se mbeten në duart e Hamasit, por rreth një e treta besohet të kenë vdekur.

Autoritetet e Gazës thonë se rreth 47,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në operacionet e mëvonshme ushtarake izraelite. Pa dhënë prova, Izraeli thotë se numri i të vdekurve përfshin mijëra militantë të vrarë.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti, të cilët kanë ndërmjetësuar negociatat midis Izraelit dhe Hamasit për muaj të tërë, njoftuan armëpushimin të mërkurën.

Armëpushimi do të fillojë me një ndalim disa javësh të luftimeve dhe lirimin e dhjetëra pengjeve izraelitë dhe qindra të burgosurve palestinezë.

Tridhjetë e tre nga 98 pengjet e mbetura izraelite, duke përfshirë gra, fëmijë, burra mbi 50 vjeç dhe robër të sëmurë dhe të plagosur, pritet të lirohen në këtë fazë. Në këmbim, Izraeli do të lirojë pothuajse 2000 palestinezë nga burgjet e tij./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat