Tri pengjet e para u kthyen në Izrael, 30 prej tyre duhet të kthehen

Azia

Tri pengjet e para u kthyen në Izrael, 30 prej tyre duhet të kthehen

Më: 19 janar 2025 Në ora: 18:35
Emily Damari, Romi Gonen dhe Doron Steinbrecher

Ushtria izraelite njoftoi këtë pasdite se tri pengjet e liruara nga Hamasi - Emily Damari, Romi Gonen dhe Doron Steinbrecher - ndodhen në territorin izraelit pasi u morën nga Kryqi i Kuq në Gaza.

“Pengjet e liruara kaluan kufirin në rrugën e tyre për në pikën e takimit në jug të Izraelit”, tha ushtria në një deklaratë.

"Emily, Doron dhe Romi janë më në fund në rrugën e tyre për në shtëpi. Është një moment shumë emocionues”, tha Daniel Hagari, një zëdhënës i ushtrisë, në televizion.

Një zyrtar izraelit tha më herët se Kryqi i Kuq, i cili mori përsipër pengjet pasi ata u liruan nga Hamasi, e kishte informuar Izraelin se ata ishin në gjendje të mirë shëndetësore, raporton AA.

Tri pengjet janë të parët në një seri prej 33 që lirohen në fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit.

Marrëveshja trefazore midis Izraelit dhe Hamasit që hyri në fuqi të dielën pasoi disa muaj negociatash të ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara.

Faza e parë do të zgjasë gjashtë javë, gjatë së cilës 33 nga 98 pengjet e mbetura, gra, fëmijë, burra mbi 50-vjeç, të sëmurë dhe të plagosur, do të lirohen në këmbim të afro 2000 të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat