“Doja të shihja qiellin”/ Dita e dytë e armëpushimit, Izraeli liron 90 të burgosur palestinezë

Azia

“Doja të shihja qiellin”/ Dita e dytë e armëpushimit, Izraeli liron 90 të burgosur palestinezë

Më: 20 janar 2025 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Izraeli ka liruar 90 të burgosur palestinezë, më shumë se shtatë orë pasi tre pengje izraelitë u liruan nga Hamasi dhe u kthyen në Izrael.

Një autobus i madh që transportonte dhjetëra të burgosur palestinezë doli nga portat e burgut Ofer të Izraelit në orët e para të mëngjesit të së hënës, pak jashtë qytetit Ramallah të Bregut Perëndimor.

Sipas një liste të siguruar nga Komisioni për Çështjet e të Burgosurve të Autoritetit Palestinez, të gjithë të liruarit janë gra ose të mitur.

Izraeli i kishte arrestuar ata për vepra të lidhura me sigurinë kombëtare, nga gjuajtja e gurëve deri te akuzat më të rënda si tentativa për vrasje.

Lirimi i tyre vjen në ditën e dytë të një armëpushimi me tre faza që filloi të dielën në mëngjes.

Armëpushimi duhej të fillonte në orën 07:30, por u vonua dhe nisi në orën 10:15, pasi Izraeli refuzoi ta zbatonte pasi nuk kishte marrë emrat e pengjeve që Hamasi synonte të lironte.

Faza e parë e armëpushimit do të bëjë që Hamasi të lirojë 33 robër gjatë gjashtë javëve në këmbim të qindra palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.

Hamasi liroi ditën e djeshme tre gra izraelite – Romi Gonen, Emily Damari dhe Doron Steinbrecher – të cilat iu dorëzuan stafit të Kryqit të Kuq në qytetin e Gazës përpara se të transferoheshin në ushtrinë izraelite.

Të treja aktualisht po marrin trajtim në një spital në Tel Aviv dhe thuhet se janë në gjendje stabile.
Izraeli pritet të lirojë 30-50 palestinezë në këmbim të çdo pengu të Hamasit.

Faza e dytë e marrëveshjes mbulon hapat drejt përfundimit të përhershëm të luftimeve në Gaza. Ushtria izraelite do të përfundojë gjithashtu tërheqjen e plotë të trupave nga Gaza gjatë kësaj faze.

Faza e tretë dhe e fundit mbulon rindërtimin e Gazës me Hamasin që pritet të dorëzojë trupat e pengjeve që vdiqën në robëri në këmbim të një plani për rindërtimin e Rripit nga Izraeli.

Rose Khwais, e cila ishte në mesin e palestinezëve të liruar, thotë për AlJazeera se ajo u sëmur për shkak të kushteve të këqija ndërsa ishte e burgosur nga Izraeli.

“Ne e shihnim qiellin përmes dritareve të vogla. Unë thosha, ‘Shpresoj të shoh qiellin pa këto hekura’”, tha ajo në një intervistë pasi u kthye në shtëpi.

“Në momentin që na nxorrën nga burgu, pashë malet e Karmelit dhe qiellin. Ata nuk na trajtuan mirë. Nuk kishte asnjë trajtim mjekësor. Kam pasur simptoma të një goditjeje, lëngje rreth zemrës dhe gjithashtu probleme me presionin e gjakut. Nuk kisha frikë nga sëmundjet, isha e shqetësuar se familja ime do ta dinte që u sëmura,” tha ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat