Popullsia e Kinës shënon rënie për të tretin vit radhazi

Azia

Popullsia e Kinës shënon rënie për të tretin vit radhazi

Më: 21 janar 2025 Në ora: 19:52
Foto ilustrim

Popullsia e Kinës ishte 1,408 miliardë në fund të vitit 2024, duke shënuar një rënie prej 1,39 milionë nga viti i mëparshëm.

Shifrat e shpallura nga qeveria në Pekin janë në përputhje me prirje të ngjashme në mbarë botën, por veçanërisht në Azinë Lindore ku Japonia, Koreja e Jugut dhe vende të tjera kanë shënuar rënie të shkallës së lindjeve.

Arsyet janë në shumë raste të ngjashme: rritja e kostos së jetesës po bën që të rinjtë të vonojnë ose të heqin dorë nga martesa dhe lindja e fëmijëve ndërsa vazhdojnë arsimin e lartë dhe karrierën.

Vende si Kina që pranojnë shumë pak emigrantë janë veçanërisht në rrezik.

Kina ka qenë prej kohësh ndër vendet më të populluara në botë, ku zhvillimi ekonomik fillimisht u arrit me mbjelljen e orizit në jug dhe grurit në veri. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste më 1949, njerëzit filluan të bëjnë më shumë fëmijë dhe popullsia u dyfishua në vetëm tre dekada.

Pas përfundimit të Revolucionit Kulturor dhe vdekjes së udhëheqësit Mao Ce Dun, burokratët komunistë filluan të shqetësoheshin se popullsia e vendit po tejkalonte aftësinë e saj për të ushqyer veten. Ata imponuan politikën që nuk iu lejonte familjeve të kenë më shumë se një fëmijë. Pavarësisht që ky nuk ishte ligj, gratë duhej të aplikonin për leje për të pasur një fëmijë dhe ato që shkelnin rregulloren mund të përballeshin me aborte të detyruara edhe në pjesën e vonshme të shtatëzanisë, gjoba masive dhe mundësinë që fëmijës së tyre t'u hiqej numri i identifikimit, duke iu hequr në praktikë të drejtën e shtetësisë.

Përpjekjet e qeverisë u përqëndruan sidomos në zonat rurale të Kinës, ku preferenca për pasardhësit meshkuj ishte veçanërisht e fortë dhe dy fëmijë formalisht lejoheshin. Por gratë në zonat rurale detyroheshin të paraqesin prova se kishin menstruacione ndërsa ndërtesat u mbuluan me slogane të tilla si “bëj më pak fëmijë që të kesh fëmijë më të mirë”.

Qeveria u përpoq të ndalonte abortin selektiv për çiftet që nuk donin lindjen e një vajze. Megjithatë fakti që abortet ishin të ligjshme dhe që mund të siguroheshin me lehtësi, biznesi i atyre që përdornin sonograme në mënyrë të jashtligjshme filloj të lulëzoj.

Ky ka qenë faktori më i madh në raportin gjinor të Kinës, me miliona djem të lindur. Raporti i së premtes nxjerr në pah çekuilibrin gjinor në Kinë ku për çdo 104.34 burra janë 100 gra, megjithëse vlerësimet e organizatave të pavarura e paraqesin këtë çekuilibër në nivele shumë më të larta.

Më shqetësuese për qeverinë ishte rënia drastike e lindjeve. Popullsia e Kinës shënoi rënie për herë të parë në dekada në vitin 2022. Kina u tejkalua nga India si kombi më i populluar në botë një vit më pas. Popullsia që po plaket me shpejtësi, fuqia punëtore në rënie, mungesa e tregjeve dhe migrimi jashtë vendit po e vënë sistemin nën trysni të madhe.

Ndërsa shpenzimet për ushtrinë dhe projektet infrastrukturore vazhdojnë të rriten, sistemi tashmë i dobët i sigurimeve shoqërore të Kinës është në rënie.

Më shumë se një e pesta e popullsisë është e moshës 60 vjeç e më të moshuar, me shifrën zyrtare të dhënë si 310.3 milionë njerëz ose 22% e popullsisë totale. Deri në vitin 2035, ky numër parashikohet të kalojë 30%, duke nxitur diskutime për ndryshimet në moshën zyrtare të pensionit, e cila është një nga më të ulëtat në botë. Pasi vendi ka tani më pak nxënës, disa shkolla dhe kopshte të lira po shndërrohen në ambiente përkujdesjeje për të moshuarit.

Zhvillime të tilla po përforcojnë thënien se Kina, tani ekonomia e dytë më e madhe në botë, por që përballet me sfida, do të “plaket para se të pasurohet”.

Ndihmat e qeverisë përfshirë pagesat në para për ata që bëjnë deri në tre fëmijë dhe ndihmën financiare me kostot e strehimit kanë pasur vetëm një ndikim të përkohshëm.

Ndërkohë, Kina vazhdoi tranzicionin e saj drejt një shoqërie urbane, me 10 milionë më shumë njerëz që u zhvendosën në qytete, pothuajse një përqind më shumë se një vit më parë./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat