Gjenerali izraelit jep dorëheqjen lidhur me dështimin më 7 tetor

Azia

Gjenerali izraelit jep dorëheqjen lidhur me dështimin më 7 tetor

Më: 21 janar 2025 Në ora: 21:38
Herzi Halevi

Gjenerali kryesor i Izraelit dha dorëheqje të martën, duke marrë përgjegjësinë për dështimet e sigurisë që lidhen me sulmin e befasishëm të Hamasit ndaj Izraelit që shkaktoi luftën në Gazë, duke shtuar trysninë ndaj Kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Ndërkohë që armëpushimi i brishtë po respektohet në Rripin e Gazës, Izraeli filloi një operacion të madh në Bregun e pushtuar Perëndimor, që shkaktoi vdekjen e të paktën 9 personave dhe plagosjen e 40 të tjerëve, sipas zyrtarëve palestinezë.

Gjeneral-lejtnant Herzi Halevi është zyrtari më i lartë izraelit që jep dorëheqje për dështimet e sigurisë dhe zbulimit më 7 tetor të vitit 2023, kur mijëra militantë të Hamasit kryen një sulm tokësor, detar dhe ajror ndaj pjesës jugore të Izraelit, duke hyrë në bazat ushtarake dhe vendbanimet pranë.

Gjatë këtij sulmi, u vranë 1,200 persona, shumica civilë, ndërkohë që militantët rrëmbyer edhe 250 të tjerë. Mbi 90 pengje ende po mbahen në Gazë, ndonëse një e treta e tyre besohet të kenë vdekur.

Dorëheqja e Gjeneralit Halevi erdhi vetëm disa ditë pas hyrjes së armëpushimit me Hamasin në fuqi, që mund të çojë tek një përfundim i luftës 15 mujore dhe kthimit të pengjeve të mbetura. Gjeneral-majori, Yaron Finkelman, kreu i Komandës Jugore të Izraelit, që mbikëqyr operacionet në Gazë, po ashtu dha dorëheqje.

Besohet që dorëheqjet e tyre do të shtojnë thirrjet për një hetim publik të dështimeve të 7 tetorit, për të cilin Kryeministri Netanyahu thotë se duhet pritur deri sa të përfundojë lufta.

Duket se Gjeneral Halevi ka hasur në mospajtime me Ministrin e ri të Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, rreth drejtimit të luftës. Ai thotë se Izraeli i ka përmbushur shumicën e synimeve të tij, ndërkohë që Ministri Katz po u bën jehonë zotimeve të Kryeministrit Netanyahu për të vazhduar luftën deri në një “fitore të plotë” ndaj Hamasit. Ministri Katz e zëvendësoi në këtë pozitë Ministrin Yoav Gallant, të cilin Netanyahu e shkarkoi me një vendim të papritur në nëntor pas mosmarrëveshjeve mes dyve rreth luftës.

Në letrën e dorëheqjes, Halevi tha se ushtria, nën komandën e tij, “dështoi në misionin e saj për të mbrojtur shtetin e Izraelit” dhe theksoi se hetimet ushtarake për këto dështime “aktualisht janë në fazat e fundit”. Ai tha se dorëheqja e tij do të hyjë në fuqi më 6 mars.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat