Të paktën tetë persona u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën në një shpërthim masiv brenda një fabrike municionesh në shtetin perëndimor indian të Maharashtra, thanë zyrtarët lokalë.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 10:30 të mëngjesit me orën lokale (GMT+5:30) në fabrikën në distriktin Bhandara, rreth 830 km në lindje të Mumbait, kryeqyteti i Maharashtra. Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse për të shuar situatën.
Shpërthimi shkaktoi shembjen e çatisë së fabrikës dhe bllokimin e punëtorëve.
Autoritetet kanë sjellë një ekskavator për të hequr mbeturinat dhe për të kërkuar të bllokuarit. Të plagosurit janë dërguar në spital me autoambulanca.
Raportet thanë se zhurma e shpërthimit u dëgjua në një rreze prej pesë kilometrash.
Shpërthimet aksidentale janë të zakonshme në fabrikat indiane pasi pronarët dhe punëtorët zakonisht injorojnë standardet e sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes i Indisë, Rajnath Singh shprehu trishtimin për shpërthimin, ofroi ngushëllime për familjet e të ndjerëve dhe u lut për shërimin e shpejtë të të plagosurve.
“Ekipet e shpëtimit janë vendosur në vend. Po bëhen të gjitha përpjekjet për të ofruar ndihmë për ata që janë prekur,” tha Singh në një deklaratë të shkurtër të postuar në mediat sociale.