Afati i fundit për tërheqjen izraelite nga Libani jugor skadoi herët të dielën, por trupat do të mbeten në disa zona pasi Izraeli thotë se një marrëveshje armëpushimi me Hezbollahun nuk është zbatuar plotësisht.
Marrëveshja 60-ditore , e cila u ndërmjetësua nga SHBA dhe Franca dhe i dha fund konfliktit 14 muajsh, përcaktoi tërheqjen e trupave izraelite nga Libani jugor dhe largimin e luftëtarëve dhe armëve të Hezbollahut prej andej, shkruan BBC.
Në të njëjtën kohë, mijëra ushtarë libanezë do të dislokoheshin në zonën ku, për dekada, Hezbollahu ka qenë forca dominuese.
Ky është testi i parë i madh për presidentin e ri libanez, shefin e ushtrisë Joseph Aoun, i cili dëshiron të sjellë stabilitet në vend.
Të shtunën, zyra e tij tha se “kontaktet dhe konsultimet intensive” vazhduan për të adresuar situatën në jug, duke përfshirë “praktikat e rrezikshme izraelite”.
Nuk është e qartë se si Hezbollahu do të përgjigjet, por çdo rifillim i armiqësive ka të ngjarë të përballet me kundërshtime të forta në vend.
Konflikti u përshkallëzua shtatorin e kaluar, me një fushatë intensive ajrore izraelite në të gjithë Libanin, me vrasjen e udhëheqësve të lartë të Hezbollahut dhe me një pushtim tokësor të Libanit jugor.
Ofensiva vrau rreth 4,000 njerëz në Liban – duke përfshirë shumë civilë – dhe çoi në zhvendosjen e më shumë se 1.2 milion banorëve.