Prokuroria ngriti zyrtarisht akuza të dielën ndaj Presidentit të shkarkuar të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol lidhur me vendimin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në 3 dhjetor, njoftuan avokatët e tij dhe partia kryesore opozitare. Ndaj tij u ngritën akuza për rebelim, njoftuan mediat vendase. Nëse shpallet fajtor, për akuzat e ngritura ndaj tij parashikohet burgim për jetë ose dënim me vdekje, njoftoi agjencia e lajmeve Associated Press.
Përfaqësuesit ligjor të zotit Yoon e kritikuan ngritjen e akuzës si “vendimin më të keq” që mund të merrte prokuroria, ndërsa opozita e mirëpriti vendimin. Akuzat janë të lidhura me vendimin e zotit Yoon për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas së cilit kërkohej ndalim i aktiviteti parlamentar dhe politik, si dhe kontroll i medias.
Vendimi i tij i hapi udhën një periudhe të trazuar politike në Korenë e Jugut. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme u shfuqizua shpejt nga ligjvënësit, të cilët më vonë votuan për shkarkimin e tij, duke pezulluar kompetencat presidenciale.
Zoti Yoon u arrestua në 15 janar. Përmes një deklarate të lëshuar sot, avokatët e tij i kërkuan prokurorisë lirimin e menjëhershëm të Presidentit të shkarkuar./VOA