Lideri i rebelëve, Ahmed al-Sharaa emërohet president i përkohshëm i Sirisë

Azia

Lideri i rebelëve, Ahmed al-Sharaa emërohet president i përkohshëm i Sirisë

Më: 30 janar 2025 Në ora: 06:18
Ahmed al-Sharaa

Lideri i rebelëve sirianë, Ahmed al-Sharaa, është emëruar president gjatë periudhës kalimtare në atë vend, ka raportuar agjencia shtetërore siriane e lajmeve (SANA).

Sharaa është gjithashtu i autorizuar të formojë një këshill legjislativ të përkohshëm për fazën kalimtare, i cili do të ushtrojë funksionet e tij deri në miratimin e një kushtetute të re, raportoi agjencia të mërkurën, duke cituar komandantin Hassan Abdel Ghanin, shkruan Al Jazeera Balkans.

Al-Sharaa është lideri i Hayat Tahrir al-Sham (HTS), ish-grup opozitar i armatosur që udhëhoqi një ofensivë të shpejtë muajin e kaluar, duke rrëzuar presidentin e atëhershëm, Bashar al-Assad.

Që nga rrëzimi i Bashar al-Assadit, HTS është bërë partia de facto në pushtet dhe ka krijuar një qeveri të përkohshme, e cila kryesisht përbëhet nga zyrtarë të administratës lokale që më parë drejtonte në provincën Idlib nën kontrollin e rebelëve.

Gjithashtu është vendosur shpërbërja e Partisë Arabe Socialiste Baas, Asamblesë Popullore, ushtrisë dhe të gjitha milicive dhe shërbimeve të sigurisë të lidhura me regjimin e presidentit të rrëzuar.

Në takim u vendos gjithashtu krijimi i një “institucioni të ri të sigurisë për të ruajtur sigurinë e qytetarëve”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat