Një ish-ushtarak britanik u dënua sot me 14 vjet e tre muaj burg për spiunim për Iranin dhe për arratisje nga burgu në vitin 2023.
Daniel Khalif, 23 vjeç, u deklarua fajtor nëntorin e kaluar për akuza për spiunazh dhe terrorizëm për dhënien e informacionit shërbimeve të inteligjencës iraniane nga maji 2019 deri në janar 2022.
Në shtator 2023, ai u arratis nga një burg në Londër, duke u fshehur nën një kamion që po transportonte të dënuar. Arratisja e tij u bë kryefjalë e gazetave britanike dhe policia arriti ta gjurmojë atë pas tre ditësh kërkime.
Daniel Khalif u rrit në Londrën jugperëndimore me nënën e tij të lindur në Iran dhe iu bashkua Ushtrisë Britanike në vitin 2018, kur ishte 16 vjeç.
Menjëherë pas kësaj, ai u afrua nga një burrë që kishte kontakte me shërbimet e inteligjencës iraniane. I riu më pas informoi agjencinë britanike të inteligjencës MI6 se dëshironte të bëhej agjent i dyfishtë – por kërkesa e tij nuk u pranua.
Gjykatësi vendosi se i riu ishte “i papjekur” dhe “i paaftë për të kuptuar rrezikun” për sigurinë kombëtare.
Ai gjithashtu ka vlerësuar se ka vepruar në këtë mënyrë për t’u “hakmarrë” shërbimeve sekrete britanike për mos pranimin e kërkesës së tij.
Hetimi tregoi se ai kishte grumbulluar një “numër të madh” dokumentesh sekrete dhe konfidenciale ndërsa shërbente në Britani dhe SHBA.
Ndër të tjera, ai dërgoi përmes Whatsapp një listë me 15 emra dhe të dhëna personale të ushtarëve britanikë, përfshirë pjesëtarë të forcave speciale.
I riu kishte kontakte të vazhdueshme me iranianët gjatë kohës që shërbente në Teksas, midis shkurtit dhe prillit 2021.