Izraeli tërheq trupat nga korridori që e ndau Gazën në dysh

Azia

Izraeli tërheq trupat nga korridori që e ndau Gazën në dysh

Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 12:43
Trupat izraelite

Trupat izraelite janë tërhequr nga Korridori Netzarim – një zonë ushtarake që ndan veriun e Rripit të Gazës nga jugu.

Bëhet e ditur se qindra palestinezë në vetura dhe karroca të ngarkuara me dyshekë dhe mallra të tjera filluan të kthehen në Gazën veriore pas tërheqjes.

Tërheqja izraelite është në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Hamas të 19 janarit, sipas së cilës deri më tani janë liruar 21 pengje izraelite dhe 566 të burgosur palestinezë.

Ndërsa deri në fund të fazës së parë të armëpushimit pas tre javësh, pritet të jenë liruar 33 pengje dhe 1900 të burgosur. Izraeli thotë se tetë nga 33 pengjet janë të vdekur.

Ndryshe, Hamasi kapi 251 pengje dhe vrau rreth 1200 njerëz kur sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke shkaktuar luftën në Gaza.

Të paktën 47,500 palestinezë janë vrarë në ofensivën e Izraelit, sipas ministrisë së shëndetësisë të Hamasit të Gazës.

Rreth dy të tretat e ndërtesave të Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar nga sulmet e Izraelit, thotë OKB.

Rreth 700,000 banorë të Gazës veriore u larguan në zonat jugore në fillim të luftës, kur ushtria izraelite lëshoi ​​urdhra për evakuim masiv përpara se të fillonte një pushtim tokësor në territorin palestinez.

Raportohet se shumë nga të zhvendosurit u detyruan më pas të lëviznin disa herë pasi forcat izraelite u shtynë edhe në Gazën jugore, shkruan BBC.

Ata gjithashtu u penguan të kthehen në shtëpitë e tyre përmes korridorit Netzarim, që shtrihet nga kufiri Gaza-Izrael deri në Detin Mesdhe.

Forcat izraelite u tërhoqën pjesërisht nga perëndimi i korridorit muajin e kaluar dhe palestinezët e parë u lejuan të ecnin përgjatë rrugës bregdetare Rashid.

E tërheqja e sotme do t’i lë izraelitët nën kontrollin e kufijve të Gazës, por jo rrugën që e kishte ndarë atë në gjysmë.

Tërheqja e trupave vjen pasi një delegacion izraelit pritet të fluturojë në Katar, i cili ka moderuar bisedimet mes dy palëve në luftën e Gazës.

Qeveria izraelite ka njoftuar se delegacioni do të diskutojë fillimisht “çështjet teknike” në lidhje me fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit, në vend të fazës së dytë më sfiduese që synon të çojë në një armëpushim të përhershëm, shkëmbimin e të gjithë pengjeve të mbetura të gjallë në Gaza për më shumë të burgosur palestinezë dhe një tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza.

Kjo do të kërkojë udhëzime të mëtejshme nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili aktualisht është duke u kthyer nga SHBA-ja.

Netanyahu u bë lideri i parë i huaj që takoi Presidentin e SHBA-së Donald Trump që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Gjatë udhëtimit, në ndryshimin më dramatik në politikën amerikane në lidhje me Gazën në dekada, Trump bëri thirrje për largimin e të gjithë popullsisë civile të territorit dhe zhvillimin e asaj që ai e quajti “Riviera e Lindjes së Mesme”.

Ky sugjerim, i cili do të ishte një krim sipas ligjit ndërkombëtar, është hedhur poshtë pothuajse botërisht, duke përfshirë edhe shtetet arabe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat