Lufta për pushtet në Afganistan vë në pah përçarjet brenda talibanëve

Azia

Lufta për pushtet në Afganistan vë në pah përçarjet brenda talibanëve

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 22:36
Posteri i udhëheqësit shpirtëror të talibanëve, Haibatullah Akhundzada, përgjatë një rruge në Kabul

Talibanët për vite të tëra e kanë paraqitur veten para botës së jashtme si një front të bashkuar dhe i kanë mbajtur nën kontroll të rreptë kundërshtarët brenda radhëve të veta.

Megjithatë, shfaqja e paparë deri më sot e mospajtimeve ka bërë që përçarjet brenda grupit militant të dalin në sipërfaqe, si dhe e ka vënë në pah një luftë të madhe për pushtet.

Ndarjet e brendshme mund të shndërrohen në dhunë dhe ta shkaktojnë një luftë të re civile që do ta destabilizonte edhe më shumë rajonin e dhunshëm, paralajmërojnë ekspertët.

Pavarësisht zakonit të tyre për unitet dhe fshehtësi, së voni ata e kanë shfaqur publikisht mungesën e unitetit”, tha Michael Semple, ish-këshilltar i BE-së dhe OKB-së në Afganistan.

“Këto lënë të kuptohet se kjo lëvizje po përballet me telashe të vërteta”, shtoi ai.

“Rrëmujë dhe pasiguri”

Në dhjetor, ministri i Qeverisë talibane për Refugjatë, Khalil Haqqani, u vra në një sulm vetëvrasës. Ai është zyrtari më i lartë që është vrarë prej kur grupi islamik radikal e mori pushtetin në vitin 2021.

Sipas ekspertëve, shumica e mbështetësve të Haqqanit privatisht akuzuan rivalët e tij brenda talibanëve për urdhërimin e vrasjes së tij.

Në janar, një zyrtar i lartë i talibanëve u largua nga vendi pa humbur kohë, pasi e kritikoi liderin shpirtëror të talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada, i cili ka fjalën e fundit në sistemin e drejtuar nga klerikët.

"Ndiq mësimet e tij, por jo deri në atë pikë sa, mos e dhëntë Zoti, t’i japësh atij gradën e profetësisë ose hyjnisë", tha Sher Mohammad Abbas Stanikzai, zëvendësministër i Jashtëm i talibanëve, sipas një audioje të publikuar muajin e kaluar. "Nëse devijon edhe një hap nga rruga e Zotit, atëherë nuk je më lideri im, nuk të njoh më".

Stanikzai e kritikoi edhe ndalesën e vendosur nga Akhundzada ndaj arsimimit të grave, e cila është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Ai konfirmoi se ndodhej në Emiratet e Bashkuara Arabe, por tha shkoi atje për arsye shëndetësore. Por, sipas raportimeve, Stanikzai u arratis nga Afganistani pasi Akhundzada lëshoi fletarrestim për të dhe urdhëroi t’i ndalohej udhëtimi.

Ndërkohë, një numër i madh i anëtarëve të grupit janë ankuar haptazi për vonesa në marrjen e pagave.

Talibanët e kanë mohuar se ka përçarje brenda grupit. Zëdhënësi kryesor i talibanëve, Zabihullah Mujahid, i tha televizionit privat Tolo News se grupi “nuk do të përfshihet kurrë në mosmarrëveshje, nuk do të bëhet burim përçarjesh dhe nuk do të ndërmarrë veprime që mund të sjellin fatkeqësi apo të rikthejnë destabilitetin në vend”.

Por, disa burime brenda talibanëve, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë (REL) në kushte anonimiteti, e përshkruan gjendjen e tanishme si “kaotike” dhe “të pasigurt”.

Burimet thanë gjithashtu se zyrtarëve u është ndaluar të largohen nga vendi pa marrë leje nga Akhundzada.

“Këto zhvillime sugjerojnë se uniteti i talibanëve po përballet me sfidë të vërtetë, midis atyre që ndihen të anashkaluar dhe atyre që ndihen të fuqizuar”, tha Semple, profesor në Universitetin Queen’s të Belfastit.

“Tani ndodhemi në një situatë të re. Opozita politike dhe ushtarake kundër talibanëve është më e dobët se në vitet ‘90”, shtoi Semple, duke iu referuar periudhës së parë në pushtet të talibanëve.

“Por, pritjet e popullsisë afgane janë shumë më të larta dhe shkalla e pakënaqësisë popullore ndaj talibanëve është e paparë. Talibanët e pakënaqur e dinë këtë”, shtoi ai.

Gara e brendshme

Grindjet e brendshme mes talibanëve kanë dalë në sipërfaqe dukshëm prej se grupi e rimori pushtetin në vitin 2021.

Akhundzada, i cili rrallë largohet nga bastioni i tij në qytetin jugor të Kandaharit, e ka monopolizuar pushtetin, ka anashkaluar figurat më të moderuara dhe ka zbatuar politika radikale që e kanë bërë Afganistanin një shtet të izoluar ndërkombëtarisht.

Ndër rivalët e Akhundzadës është Sirajuddin Haqqani, ministri i Brendshëm i talibanëve dhe udhëheqësi i rrjetit Haqqani, një fraksion i fuqishëm me ndikim të madh në Afganistanin lindor.

Të tjerë përfshijnë Mullah Mohammad Yaqub, ministrin e Mbrojtjes dhe djalin e themeluesit të grupit, Mullah Mohammad Omar, si dhe Mullah Abdul Ghani Baradar, i cili drejtoi zyrën politike të grupit në Katar dhe është zëvendëskryeministër në Qeverinë talibane.

“Ngjarjet e fundit, veçanërisht tensionet midis fraksioneve të ndryshme brenda talibanëve, përbëjnë sfidë të rëndësishme për unitetin e tyre, por nuk janë patjetër kërcënimi më i madh”, tha Hatef Mukhtar, drejtor i Qendrës së Studimeve Strategjike për Afganistanin.

Ka përçarje brenda talibanëve në lidhje me vijat ideologjike. Disa udhëheqës talibanë kërkojnë njohje ndërkombëtare dhe investime ekonomike, ndërsa të tjerë e vënë theksin te zbatimi i rreptë i ligjit islamik, edhe nëse kjo çon në izolim, tha Mukhtar.

Sipas tij, ndikimi në rritje i udhëheqjes me qendër në Kandahar, në kurriz të ish-komandantëve të fushëbetejës dhe zyrës politike, është gjithashtu burim i përçarjeve.

Ndërkohë, grupi ekstremist Shteti Islamik-Khorasan (IS-K) vazhdon të paraqesë kërcënim për talibanët, duke vënë në provë aftësinë e tyre për ta ruajtur sigurinë.

Duke theksuar këtë kërcënim, IS-K e mori përgjegjësinë për një sulm vetëvrarës me bombë pranë një banke në veri të Afganistanit më 11 shkurt, ku u vranë pesë njerëz, thanë talibanët.

Por, dy burime brenda talibanëve, që folën në kushte anonimiteti, thanë se të paktën 14 persona u vranë në atë sulm, përfshirë anëtarë të grupit.

Qeveria talibane, e cila nuk njihet ndërkombëtarisht dhe ka mungesa të mëdha financiare, po përballet me trysni gjithnjë e më të madhe ekonomike.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka ngrirë të gjitha ndihmat ndërkombëtare, përfshirë për Afganistanin. Kjo me gjasë do ta përkeqësojë krizën humanitare në këtë vend. Ndërkohë, vlera e monedhës kombëtare, afgani, ka rënë rishtazi, duke nxitur ngritje të çmimeve.

Ekspertët thonë se, megjithëse talibanët kanë treguar qëndrueshmëri në menaxhimin e mosmarrëveshjeve të brendshme, tensionet në rritje mund të kërcënojnë kohezionin e grupit.

Skenari më i mundshëm është “përplasje të nivelit të ulët, vrasje dhe spastrime të brendshme, më shumë sesa një konfrontim i hapur ushtarak”, tha Mukhtar.

“Por, nëse talibanët dështojnë t’i zgjidhin ndarjet e tyre të brendshme, Afganistani mund të përballet me një tjetër cikël konflikti të brendshëm islamik”, shtoi ai./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat