Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio mbërriti (sot) të hënën në Arabinë Saudite për një sërë takimesh, përfshirë bisedimet e së martës me diplomatët rus për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Rubio u takua të hënën me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Faisal bin në Riad, në prag të bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa në mbrëmje pritet të mbërrijnë Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Mike Waltz dhe i Dërguari për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, të cilët do të jenë gjithashtu pjesë e bisedimeve me Rusinë.
Këto janë bisidimet e para të nivelit të lartë që zhvillohen personalisht, pas vitesh të tëra, mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë dhe synohet që t’i paraprinë një takimi mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe udhëheqësit rus.
Zot Trump dhe zoti Putin ranë dakord pas një bisede telefonike javën e kaluar për nisjen e menjëhershme të negociatave për paqe. Por Sekretari Rubio tha gjatë një interviste për rrjetin CBS, që u publikua të dielën, se “procesi drejt paqes nuk është çështje e një takimi të vetëm”.
“Do të shohim në ditët dhe javët në vazhdim nëse Presidenti Vladimir Putin është i interesuar në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në një udhë që është e qëndrueshme dhe e drejtë”, tha zoti Rubio.