Armëpushimi i Izraelit me Hezbollahun dhe Hamasin sërish në dyshim

Azia

Armëpushimi i Izraelit me Hezbollahun dhe Hamasin sërish në dyshim

Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 17:45
Familjarët e pengjeve të mbajtura nga Hamasi shënojnë 500 ditët e robërisë të të afërmve të tyre (Tel Aviv, 17 shkurt 2025)

Ushtria izraelite thotë se forcat e saj do të qëndrojnë në pesë vendndodhje strategjike në Libanin jugor pas afatit të së martës për tërheqjen e tyre sipas armëpushimit të arritur me grupin militant Hezbollah, pasi qeveria e Libanit shprehu zhgënjimin për vonesat e mëtejshme.

Një armëpushim i veçantë në Gazë ishte gjithashtu në dyshim, ndërkohë që u mbushën 500 ditë nga fillimi i luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit, ndërsa Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara dërguan sinjale kontradiktore nëse dëshirojnë që armëpushimi të vazhdojë. Bisedimet për fazën e dytë të armëpushimit nuk kanë filluar ende.

Zëdhënësi ushtarak izraelit, Nënkolonel Nadav Shoshani tha se pesë vendndodhjet në Liban ofrojnë pika të favorshme, ose ndodhen përballë komuniteteve në Izraelin verior, ku rreth 60,000 izraelitë janë ende të zhvendosur. Ai tha se "masa e përkohshme" u miratua nga grupi i punës i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për monitorimin e armëpushimit, i cili më parë u zgjat me tre javë.

Sipas marrëveshjes, forcat izraelite duhet të tërhiqen nga një zonë e ndërmjetme në Libanin jugor, që do të patrullohet nga ushtria libaneze dhe paqeruajtësit e OKB-së. Armëpushimi është arritur të mbahet që nga hyrja në fuqi në nëntor.

Presidenti libanez Joseph Aoun u tha gazetarëve se armëpushimi "duhet respektuar", duke thënë se "armikut izraelit nuk mund t'i besohet". Ai tha se zyrtarët libanezë po punonin në rrugë diplomatike për tërheqjen. Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Kassem tha të dielën se "nuk mund të ketë justifikime" për vonesën përtej afatit të së martës së kaluar./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat