“Palestina nuk është në shitje”, presidenti Abbas përsërit refuzimin e planit të zhvendosjes

Azia

“Palestina nuk është në shitje”, presidenti Abbas përsërit refuzimin e planit të zhvendosjes

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 08:16
Mahmoud Abbas

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka ripohuar se vendi i tij "nuk është në shitje" dhe ka refuzuar çdo thirrje për zhvendosjen e popullit palestinez.

Siç raporton agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa, kjo vjen gjatë fjalimit hapës të një takimi të Komitetit Qendror të Fatahut në Ramallah në Bregun Perëndimor qendror, transmeton Anadolu.

Duke folur për pjesëmarrjen e tij në Samitin e Unionit Afrikan në Addis Ababa, i cili përfundoi të shtunën, Abbas tha se ai rikonfirmoi qëndrimin e vendosur të Palestinës kundër çdo përpjekjeje për të zhvendosur popullin palestinez.

"Palestina nuk është në shitje", theksoi Abbas, duke përsëritur "qëndrimin e fortë palestinez se nga asnjë pjesë e territorit të saj, duke përfshirë Gazën, Bregun Perëndimor ose Kudsin, nuk do të hiqet dorë”.

Abbas theksoi "rëndësinë e respektimit të legjitimitetit ndërkombëtar dhe Iniciativës Arabe të Paqes si bazë për çdo zgjidhje politike të çështjes palestineze".

Miratuar në Samitin e Ligës Arabe të vitit 2002 në Bejrut, Iniciativa Arabe e Paqes bën thirrje për krijimin e një shteti të njohur palestinez brenda kufijve të vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet, në këmbim të njohjes së Izraelit nga shtetet arabe dhe normalizimit të marrëdhënieve.

Abbas përshëndeti deklaratat e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, i cili gjatë takimit të tij sot me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, ku ai ripohoi refuzimin e vendosur të vendit të tij ndaj çdo përpjekje për të zhvendosur popullin palestinez. Ai theksoi se rindërtimi i Gazës duhet të lidhet me një rrugë që çon drejt paqes gjithëpërfshirëse.

Gjithashtu edhe Komiteti Qendror i Fatah-ut hodhi poshtë të gjitha thirrjet për zhvendosjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës ose ndonjë pjese të tokës së pushtuar palestineze.

Komiteti theksoi se "plane të tilla janë të destinuara të dështojnë, duke marrë parasysh kundërshtimin e qartë nga palët arabe dhe ndërkombëtare, të cilat i kanë konsideruar ato shkelje të ligjit dhe legjitimitetit ndërkombëtar".

Komiteti gjithashtu vlerësoi qëndrimet e Jordanisë, Egjiptit, Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera arabe, të cilat kanë kundërshtuar përpjekjet për të zhvendosur palestinezët ose për të minuar të drejtat e tyre legjitime.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në mënyrë të përsëritur ka sugjeruar se ai do të "marrë në dorë" Gazën dhe do të rivendosë popullsinë e saj për të rizhvilluar enklavën në atë që ai e quajti "Rivierë të Lindjes së Mesme". Ideja është hedhur poshtë me forcë nga bota arabe dhe kombe të tjera, të cilët thanë se kjo përbën spastrim etnik.

Marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimi i të burgosurve në Gaza hyri në fuqi më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë të paktën 48.300 palestinezë, si dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat