​Të paktën 59 palestinezë vdiqën në burgjet izraelite që nga fillimi i luftës në Gaza

Azia

​Të paktën 59 palestinezë vdiqën në burgjet izraelite që nga fillimi i luftës në Gaza

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 15:35
Foto ilustrim

Të paktën 59 të burgosur palestinezë kanë vdekur në burgjet izraelite që nga fillimi i luftës së Gazës në tetor 2023.

Shoqata e të Burgosurve Palestinezë njoftoi se në mesin e viktimave janë 38 të burgosur nga Rripi i Gazës, raporton AA.

Kjo shoqatë akuzoi autoritetet izraelite për fshehjen e vdekjes së shumë të burgosurve të Gazës në paraburgim.

Shoqatat palestineze dje njoftuan se një i burgosur nga Gaza, Musab Hani Haniyeh, vdiq në paraburgimin izraelit.

Haniyeh, 35-vjeç, nga qyteti jugor Khan Younis, u arrestua nga ushtria izraelite më 3 mars 2024. Sipas familjes së tij, Haniyeh ishte në gjendje të mirë shëndetësore para ndalimit.

Sipas shifrave palestineze, që nga pushtimi i Bregut Perëndimor dhe Gazës nga Tel Avivi në vitin 1967, të paktën 296 të burgosur palestinezë kanë vdekur në paraburgimin izraelit.

Të paktën 10 mijë palestinezë mbeten në burgjet izraelite. Shifra nuk përfshin të arrestuarit nga Rripi i Gazës, numri i të cilëve vlerësohet të jetë në mijëra.

Që nga 19 janari, në Gaza është në fuqi marrëveshja e armëpushimit, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, që ka vrarë më shumë se 48.350 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, duke e lënë enklavën në gërmadha.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhërarreste në nëntor për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për fushatën e tij ushtarake.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat