Një hetim nga ushtria izraelite ka dalë në përfundimin se nënvlerësoi aftësitë dhe gjykoi gabimisht qëllimet e grupit terrorist Hamas për të ndërmarrë sulmin më vdekjeprurës në historinë e Izraelit më 7 tetor të vitit 2023.
Gjetjet e publikuara të enjten mund ta shtyjnë Kryeministrin Benjamin Netanyahu që të urdhërojë një hetim më të thellë, të kërkuar gjerësisht, për të shqyrtuar vendimmarrjen politike që i parapriu sulmit.
Shumë izraelitë besojnë se dështimet e 7 tetorit shtrihen përtej ushtrisë dhe fajësojnë zotin Netanyahu për një politikë të dështuar të parandalimit dhe frenimit gjatë viteve përpara se të ndodhte sulmi. Ata e fajësojnë qeverinë për lejimin e Katarit që të dërgojë valixhe me para në Gazë dhe lënien në hije të rivalit të Hamasit, Autoritetin Palestinez që njihet ndërkombëtarisht.
Kryeministri nuk e ka marrë përgjegjësinë për dështimin, duke thënë se do t'u përgjigjet pyetjeve të vështira vetëm pas luftës, e cila është ndërprerë për gati gjashtë javë pas arritjes së një armëpushimi të brishtë. Pavarësisht trysnisë publike, përfshirë nga familjet e rreth 1200 personave të vrarë në sulmin e 7 tetorit dhe të 251 të tjerëve të marrë peng në Gazë, zoti Netanyahu u ka rezistuar thirrjeve për një komision hetimor.
Hetimet gjetën se, ushtria më e fuqishme dhe më e sofistikuara në rajon i keqkuptoi qëllimet e organizatës terroriste Hamas, i nënvlerësoi aftësitë e saj dhe ishte krejtësisht e papërgatitur për sulmin e befasishëm në orët e para të ditës së një feste të madhe hebraike. Gjetjet e ushtrisë janë në përputhje me përfundimet e mëparshme të zyrtarëve dhe analistëve.
“7 tetori ishte një dështim i plotë”, tha një zyrtar ushtarak, i cili foli në kushte anonimiteti.
Një keqkuptim thelbësor ishte se Hamasi, i cili mori kontrollin e Gazës nga Autoriteti Palestinez në vitin 2007, ishte më i interesuar në qeverisjen e territorit sesa të luftonte Izraelin, tregon hetimi. Ushtria gjithashtu bëri një vlerësim të gabuar të aftësive të organizatës terroriste.
Strategët ushtarakë kishin parashikuar që, në rastin më të rëndë, Hamasi mund të organizonte një sulm tokësor deri në tetë pika kufitare, tha zyrtari. Në fakt, Hamasi kishte më shumë se 60 rrugë sulmi.
Të dhënat e zbulimit, të analizuara pas sulmit, kanë treguar se në tre raste Hamasi kishte qenë shumë afër organizimit të një sulmi, por nuk dihet se përse e kishte shtyrë, tha zyrtari.
Ai tha se në orët para sulmit, kishte shenja se diçka nuk shkonte, mes të tjerash edhe veprimi i Hamasit kur zëvendësoi kartat e telefonave me ato izraelite.
Perceptimi i vendimmarrësve se Hamasi nuk donte luftë bëri që ata të mos merrnin veprime që mund të kishin penguar sulmin.
Zyrtari ushtarak izraelit tha të dhënat e zbulimit tregojnë se Yahya Sinwar, organizatori i sulmit të 7 tetorit, i cili u vra tetorin e kaluar, kishte filluar planifikimin që në vitin 2017.
Tashmë, disa oficerë izraelitë të rangut të lartë kanë dhënë dorëheqjen, përfshirë ish-kreun e zbulimit ushtarak dhe gjeneralin më të lartë izraelit, Herzi Halevi, i cili largohet nga posti javën e ardhshme./VOA