Kina përballet me sfida ndaj ambicjeve të saj ekonomike

Azia

Kina përballet me sfida ndaj ambicjeve të saj ekonomike

Më: 5 mars 2025 Në ora: 17:11
Kryeministri Li Qiang

Kina shpalli të mërkurën objektivin e saj për një rritje ekonomike në nivel 5%. Ky parashikim është i pandryshuar nga viti i kaluar, pavarësisht sfidave ekonomike në rritje, përfshirë përshkallëzimin e tensioneve tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Mbledhja më e madhe politike vjetore të Kinës pati një ton optimist, pavarësisht sfidave ekonomike në rritje.

Kryeministri Li Qiang vendosi objektivin e rritjes ekonomike të vendit këtë vit në rreth 5%, një nga rritjet më të shpejta në botë.

"Ky objektiv mbështetet nga potenciali i rritjes ekonomike dhe kushtet e favorshme", tha ai.

Por pavarësisht optimizmit, Kina përballet me sfida të mëdha.

Kriza e zgjatur e pasurive të paluajtshme ka shkaktuar një rënie të çmimit të shtëpive dhe ka lënë shumë ndërtesa të zbrazëta.

Dhe tani, tarifat e reja të Shteteve të Bashkuara po godasin eksportet e Kinës, duke shtuar më tej trysninë ndaj ekonomisë së këtij vendi.

Presidenti amerikan Donald Trump ka dyfishuar tarifat ndaj Kinës në krahasim me mandatin e tij të parë.

Në një fjalim të martën në mbrëmje në Kongres, ai nuk dha shenja tërheqjeje.

“Vendet e tjera kanë përdorur tarifat kundër nesh për dekada, dhe tani është radha jonë që të fillojmë t'i përdorim ato kundër vendeve të tjera”, tha Presidenti Trump.

Këtë javë, Kina vendosi tarifa ndaj produkteve bujqësore amerikane, por analistët e konsiderojnë reagimin e saj si të përmbajtur.

"Ndërsa tarifat e Presidentit Trump janë të gjithanshme, ato të Kinës janë më të përcaktuara dhe kanë në shënjestër industri dhe produkte specifike", tha David Goodman, drejtor i Qendrës së Studimeve të Kinës në Universitetin e Sidneit.

Për t'u bërë ballë tarifave, Kina është përpjekur t'i japë përparësi konsumit të brendshëm, por ekonomia e saj do të vazhdojë të përballet me sfida.

“Ka ende mbiprodhim në Kinë, kështu që eksportet janë ende të nevojshme për shumë kompani. Prandaj, tarifat e vendosura nga administrata e Presidentit Trump do të kenë një ndikim negativ”, thotë Jean-Pierre Cabestan, ekspert i Qendrës Azia.

Mënyra se si Pekini do të përballet me këto sfida do të përcaktojë nëse optimizmi i tij përputhet me realitetin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat