Ministri i Jashtëm i Sirisë u zotua të mërkurën se vendi i tij do të shkatërrojë sa më parë armët kimike të mbetura që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë.
Ministri Asaad Hassan al-Shibani i bëri këto komente gjatë takimeve me dyer të mbyllura me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) në Hagë, në cilësinë e ministrit të parë të jashtëm që mori pjesë në punimet e agjencisë për çarmatim.
Pas sulmit me gazin sarin që shkaktoi vdekjen e qindra personave në vitin 2013, Siria, që në atë kohë ishte nën regjimin e Assadit u anëtarësua në këtë agjenci në bazë të marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe shkatërroi 1,300 tonë armë kimike dhe substanca.
Por tre hetime – njëri i zhvilluar nga një mekanizëm i përbashkët ndërmjet OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, një tjetër nga ekipi për hetime dhe identifikim i OPCW-së dhe një i OKB-së për krime lufte – arritën në përfundimin se forcat qeveritare siriane nën Assadin përdorën gazin nervor sarin dhe bomba me klor në sulmet gjatë luftës civile, duke shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e mijëra personave.
Si pjesë të detyrimeve të anëtarësimit, Damasku do t’u nënshtrohej kontrolleve, por për më shumë se një dekade, OPCW-së i ishte mohuar e drejta për të zbuluar shkallën e vërtetë të programit të armëve kimike.
“Siria është gati... ta zgjidhë këtë problem afatgjatë që na është imponuar nga regjimi i kaluar”, u tha ministri Shibani delegatëve. “Detyrimet ligjore janë rezultat i shkeljeve që trashëguam, jo që i krijuam. Sidoqoftë, jemi të përkushtuar të shkatërrojmë çfarëdo të ketë mbetur nga ai, për t’i dhënë fund kësaj trashëgimie të dhimbshme dhe për t’u siguruar se Siria bëhet shtet që i respekton normat ndërkombëtare”.
Të mërkurën, drejtuesi i OPCW-së Fernando Arias e quajti ndryshimin politik të Sirisë “një shans të ri dhe historik për të siguruar qartësi mbi shkallën dhe nivelin e plotë të programit sirian për armët kimike”.
Ministri Shibani tha se planifikimi tashmë ka filluar, por se ndihma e bashkësisë ndërkombëtare do të jetë e rëndësisë kritike. Sirisë i nevojitet ndihmë teknike, asistencë logjistike, ndërtim kapacitetesh, burime dhe ekspertizë në terren, tha ai.
“Ndonëse regjimi i Asadit bllokoi këtë bashkëpunim me vite, e kuptojmë që duhet të veprojmë me shpejtësi, por gjithashtu e kuptojmë se duhet të bëhet plotësisht. Për këtë, nuk mund të jemi të suksesshëm të vetëm”, tha ai.
Sasia e armëve e deklaruar nga Siria kurrë nuk ka reflektuar me saktësi situatën në terren, sipas inspektorëve të OPCW-së.
Ata tani duan të vizitojnë afro 100 vende, të cilat mund të jenë të lidhura me programin e armëve kimike të Assadit, që ai e zhvilloi ndër dekada.