Mbështetësit e Asadit vrasin 13 anëtarë të forcave siriane të sigurisë

Azia

Mbështetësit e Asadit vrasin 13 anëtarë të forcave siriane të sigurisë

Më: 7 mars 2025 Në ora: 00:20
Foto ilustrim

Të paktën 13 anëtarë të forcave siriane të sigurisë u vranë sot në përleshjet me militantët e lidhur me regjimin e rrëzuar të ish-presidentit Bashar al-Assad në rajonin Jableh në pjesën veriperëndimore të vendit, njoftoi televizioni sirian.

Televizioni sirian, i cili është i lidhur me administratën e re, raportoi se përleshjet po vazhdonin në rajonin Jableh, pjesë e zonës bregdetare që përbën zemrën e sektit pakicë alavit të cilit i përket familja Assad, raportoi Reuters.

Rajoni bregdetar është një nga sfidat kryesore të sigurisë për presidentin e përkohshëm Ahmed al-Shara pasi qeveria e tij punon për të konsoliduar kontrollin e vendit, tha agjencia.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, duke cituar një burim në Ministrinë e Mbrojtjes, tha se “mbetjet e milicive të Asadit” po sulmonin disa zona në mënyrë të koordinuar.

Përforcime janë rrugës për në zonën e Jableh për të mbështetur forcat e sigurisë, thuhet në deklaratë.

Në fillim të kësaj jave, dy anëtarë të Ministrisë së Mbrojtjes u vranë në qytetin e Latakisë nga grupe të identifikuara nga media shtetërore si mbetje të milicisë së Asadit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat