Çfarë po ndodh në Siri?

Azia

Çfarë po ndodh në Siri?

Më: 9 mars 2025 Në ora: 10:06
Pjesëtarët e forcave siriane lëvizin në një rrugë me tym të zi pranë Latakias, Siri, më 7 mars.

Siria është duke e përjetuar dhunën më të madhe që nga rënia e qeverisë së Bashar al-Assadit në dhjetor 2024, aleatit të Iranit dhe Rusisë, familja e të cilit e sundoi Sirinë për 50 vjet.

Luftimet mes besnikëve të Assadit dhe forcave të sigurisë të Qeverisë së Sirisë – e cila udhëhiqet nga lideri rebel i shndërruar në president të përkohshëm Ahmed al-Sharra – shpërthyen më 6 mars në provincën bregdetare Latakia.

Analistët thonë se këto luftime po i nxjerrin në pah vështirësitë e Sharaas për të mbajtur rend dhe rregull në Sirinë pas Assadit – gjë që i kënaq vendet si Irani, Izraeli dhe madje edhe ekstremistët e Shtetit Islamik (IS).

Colin Clarke, drejtor i politikave dhe hulumtimeve në grupin konsulent, Soufan Group, me qendër në Nju Jork, tha se ajo që po ndodh në Latakia është "thjesht pasojë e pashmangshme" në një vend të dalë nga konflikti.

"Siria ishte e zhytur në luftë civile për 13 vjet. Në raste si këto, pothuajse gjithmonë ka vrasje për hakmarrje dhe sektarizëm të dhunshëm", tha ai.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, tha më 8 mars se i ka identifikuar 745 civilë që i përkasin pakicës alavite të vrarë në luftime, përfshirë "ekzekutime në terren" nga "forcat e sigurisë së Sirisë dhe grupet aleate".

Observatori tha se më shumë se 1.000 njerëz janë vrarë gjatë dy ditëve të fundit, duke përfshirë 125 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 148 luftëtarë besnikë të regjimit të rrëzuar të Assadit.

Në Homs, Latakia dhe Tartus është vendosur orë policore, për shkak të luftimeve të vazhdueshme, dhe guvernatori i Latakias ka njoftuar se energjia elektrike është ndërprerë plotësisht në këtë provincë.

Agjencia zyrtare e lajmeve SANA, duke cituar një burim nga Ministria e Brendshme, pranoi se kanë ndodhur "shkelje individuale" dhe premtoi se Qeveria do t'i japë fund atyre.

Në deklaratat e tij të para për dhunën, Sharaa më 7 mars tha se "mbetjet" e qeverisë së Assadit "u përpoqën ta sprovonin Sirinë e re" dhe u zotua se do t'i sjellë ata para drejtësisë.

Ai nuk foli për akuzat se forcat e tij kanë vrarë civilë, por lavdëroi forcat e armatosura për "përkushtimin e tyre për t’i mbrojtur dhe siguruar civilët".

A i nisi Irani trazirat?

Luftimet filluan rreth një javë pasi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, vendi i të cilit është mbështetës i madh i qeverisjes së Sharaas, e paralajmëroi Iranin kundër përpjekjeve për ta sfiduar qeverinë e re siriane duke i fuqizuar grupet që i kundërvihen asaj.

Ai paralajmëroi se kjo "nuk do të ishte qasja e duhur" dhe tha se një veprim i tillë mund “ta nxisë një vend tjetër ta bëjë të njëjtën gjë kundër jush".

Grupet e mbështetura nga Ankaraja iu bashkuan ofensivës së nisur nga grupi i Sharaas, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i shpallur organizatë terroriste nga SHBA, për ta rrëzuar Assadit nga pushteti.

Sharaa ka pritur dhjetëra delegacione të huaja që nga marrja e pushtetit në Damask, por ka lënë jashtë Iranin në favor të rivalëve të tij, Turqisë dhe Arabisë Saudite, si dhe vendeve perëndimore.

Phillip Smyth, ekspert i çështjeve si përfaqësuesit iranianë dhe milicitë shiite, tha se ka "shumë prova" që tregojnë për përfshirjen e Teheranit në shpërthimin e dhunës në Siri këtë javë.

Figurat iraniane, përfshirë liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei, thanë pas rrëzimit të Assadit se sirianët do të revoltoheshin kundër sundimit të Sharaas.

Smyth tha se Teherani "është i kënaqur që kjo ndodhi", veçanërisht pasi e dëshmon se Irani "mund të shkaktojë trazira masive" pavarësisht humbjes së një aleati kyç si Assadi.

"Ajo që është më mirë për Teheranin është fakti se militantët e HTS-së treguan se do të përfshiheshin në shkelje të të drejtave të njeriut. Irani dëshironte reagim të tepruar", shtoi ai.

Sirianët protestojnë në mbështetje të qeverisë siriane në Alepo më 7 mars.

Disa vëzhgues kanë sugjeruar gjithashtu se Teherani mund t’i mbështesë Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, për ta sfiduar jo vetëm Sharaan, por edhe ndikimin në rritje të Turqisë.

Nën sundimin e Assadit, Siria luajti një rol kyç në korridorin strategjik tokësor të Iranit drejt Levantit. Ky korridor ishte jetik për ndikimin rajonal të Iranit, duke shërbyer si shtylla logjistike për rrjetin e tij të aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë.

Kush tjetër përfiton nga këto trazira?

Qeveria e re është përballur me sfida të shumta të sigurisë prej kur rebelët e morën pushtetin.

Njerëz besnikë ndaj Assadit, që i përkasin pakicës alavite, kanë sulmuar herë pas here forcat e sigurisë së Qeverisë së re, ndërsa IS-i mbetet aktiv në disa zona të vendit.

Ndërkohë, forcat izraelite kanë zgjeruar kontrollin territorial në jug të Sirisë. Thuhet se ato janë të vendosura rreth 20 kilometra larg kryeqytetit.

Izraeli ka shënjestruar asetet ushtarake dhe kërkon çmilitarizimin e jugut të Sirisë.

"IS është jashtëzakonisht oportunist dhe do të presë momentin për të goditur. Izraeli gjithashtu do të përfitojë nga situata duke kryer më shumë sulme në jug të Sirisë", tha Clarke.

"Sharaa po përballet me vështirësi për të mbajtur rend dhe rregull, por pothuajse e gjithë kjo pritej të ndodhte", shtoi ai./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat