OKB akuzon Izraelin për kryerjen e akteve gjenocidale

Azia

OKB akuzon Izraelin për kryerjen e akteve gjenocidale

Më: 13 mars 2025 Në ora: 12:36
Gaza

Izraeli ka kryer “akte gjenocidale” kundër palestinezëve, duke shkatërruar në mënyrë sistematike objektet e kujdesit shëndetësor të grave gjatë luftës së tij në Gaza dhe duke përdorur dhunën seksuale si një strategji lufte, kanë thënë ekspertët e Kombeve të Bashkuara.

Të enjten, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit me bazë në Gjenevë tha në një raport të ri se Izraeli “sulmoi dhe shkatërroi qëllimisht” qendrën kryesore të fertilitetit të Gazës, ndërsa në të njëjtën kohë bllokoi hyrjen e ilaçeve për shtatzënitë, lindjet dhe kujdesin neonatal në enklavë, raporton Anadoly.

Raporti thekson forma të ndryshme abuzimi, duke përfshirë zhveshjen e detyruar publike, ngacmimin seksual, kërcënimet për përdhunim dhe sulmet seksuale, të cilat i përshkruan si pjesë të procedurave standarde operative të forcave izraelite të sigurisë.

Shkelje më të rënda, të tilla si përdhunimi dhe dhuna në organet gjenitale, u kryen ose me urdhër të qartë ose me inkurajim të nënkuptuar nga udhëheqja e lartë civile dhe ushtarake e Izraelit, pretendon raporti.

Raporti argumentoi se Izraeli ka “shkatërruar pjesërisht kapacitetin riprodhues të palestinezëve në Gaza si grup”, të cilin ai i klasifikon si akte gjenocidale sipas Statutit të Romës dhe Konventës së Gjenocidit.

Gratë dhe vajzat, duke përfshirë pacientët e lindjes, kanë qenë ndër ata që janë shënjestruar drejtpërdrejt, akte për të cilat komisioni tha se përbëjnë “krim kundër njerëzimit dhe krim lufte të vrasjes me dashje”.

Gjetjet u prezantuan së bashku me dy ditë dëgjimesh publike në Gjenevë më 11-12 mars, ku viktimat, dëshmitarët dhe personeli mjekësor dhanë dëshmi.

Navi Pillay, kryetar i komisionit theksoi nevojën për llogaridhënie, duke bërë thirrje për ndjekjen penale të autorëve përmes Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe gjykatave kombëtare nën juridiksionin universal.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat