Kombëtarja e meshkujve në basketboll ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të fazës para-eliminatore të Botërorit 2023. Shqipëria, që drejtohet nga trajneri Afrim Bilali, ndodhet në Grupin A bashkë me Bjellorusinë, Portugalinë e Qipron.
Për shkak të pandemisë, ky turne po zhvillohet me sistem grumbullimi. Dy takimet e fundit në grup, Shqipëria do t’i zhvillojë në Nikosia të Qipros. Përballë kuqezinjve do të jenë kombëtarja vendase (18 shkurt, ora 18:00) e Bjellorusia (20 shkurt, ora 18:00).
Deri më tani, kombëtarja kuqezi ka zhvilluar 4 ndeshje, duke fituar 1 (ndaj Qipros) dhe humbur tri të tjerat (dy herë ndaj Portugalisë dhe një herë ndaj Bjellorusisë). Në raundin tjetër kualifikohet skuadra që renditet e para në grup.
Për të bërë një paraqitje sa më të mirë, kombëtarja ka zhvilluar në mjediset e akademisë Goga Basket, ku dhe po stërvitet, një miqësore ndaj Tiranës. Kjo ishte sfida e parë e basketbollit në Shqipëri pas 11 muajsh, për shkak të pandemisë.