Emergjenca prej Covid-19 është rikthyer në NBA, duke prekur dy skuadra, San Antonio Spurs dhe Charlotte Bobcats, që prej 24 orësh kanë hyrë në karantinë. Ndeshja e sotme Detroit-San Antonio nuk u luajt, pasi 4 basketbollistë të Spurs kanë dalë pozitivë me koronavirus.
Emrat e tyre nuk dihen, por për momentin e gjithë skuadra e San Antonio është e bllokuar dhe ndodhet në izolim në Charlotte. Në këtë qytet, Spurs luajtën ndeshjen e fundit ditën e diel.
NBA ka vendosur që 4 lojtarët e Spurs që janë pozitivë të qëndrojnë në Charlotte deri në fund të karantinës. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës mund të rikthehet në San Antonio vetëm pasi të vijnë përgjigjet e testeve.
Në karantinë është edhe skuadra e Charlotte për shkak të protokollit sanitar, pasi kishte probleme me 3 lojtarë. Për pasojë, NBA ka vendosur të anullojë 4 ndeshjet e radhës së San Antonio (ajo ndaj Detroit nuk u luajt) deri ditën e hënë si dhe 2 ndeshjet e radhës së Charlotte.
Kjo ka bërë që numri i ndeshjeve të shtyra në NBA për shkak të Covid-19 të shkojë në 29. Gjithashtu, është vendosur që fushat stërvitore të këtyre dy skuadrave të jenë të mbyllura deri në një urdhër të dytë.