Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë ka shqyrtuar situatën aktuale në basketbollin e Kosovës dhe, ndër të tjera, ka vendosur si në vijim:
Unanimisht ka konfirmuar vendimin e Bordit Ekzekutiv të FBK të datës 11 janar 2021 për emërimin e partnerit medial të Federatës së Basketbollit të Kosovës – Kujtesa sh.p.k.
Ka konfirmuar pjesëmarrësit e Federatës në Kuvendin e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe ka mbështetur kandidimin e nënkryetares së FBK-së për pozitën e Presidentes së Komitetit Olimpik të Kosovës;
Ka vendosur të fillojë me organizimin e garave të kategorive të reja në të dyja konkurrencat nga muaji mars 2021, me kalendarë të ngjeshur të garave; dhe
Ka konfirmuar sponsorin e Kampit Nacional të FBK për grupmoshat e reja, duke autorizuar Kryetarin dhe Sekretaren e Përgjithshme që të vazhdojnë me procedurën e nënshkrimit të kontratës.
Vendimet hyjnë në fuqi në ditën e miratimit të tyre, njofton Bordi i FBK-së, me kryetarin Arben Fetahu.