Penza pas vazhdimeve mundi Bashkimin

Basketboll

Penza pas vazhdimeve mundi Bashkimin

Më: 6 mars 2021 Në ora: 21:15
Penza pas vazhdimeve mundi Bashkimin

Derbi i xhiros së 16-të në EBC Ligën e Femrave i takoi Penzës, që pas vazhdimeve shënoi fitore ndaj Bashkimit 83:78 (12:15, 22:17, 24:24, 12:14, 13:8). Takimi ishte shumë interesant dhe dramatik deri në fund. Çereku i parë ishte i barabartë derisa përfundoi 12:15 për vashat mysafire. Por, skuadra pejane kundërpërgjigjet në periodën e dytë, duke e fituar 22:17, për të shkuar në pushim me shifrat 34:32.

Lojë tërësisht e barabartë ishte në periodën e tretë, që përfundoi 24:24, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash 58:56.

Lojë dramatike u zhvillua edhe në 10 minutat e fundit, por që nuk kishte fitues 70:70 dhe përballja shkoi në vazhdime. Po ashtu edhe në vazhdime ishte ndeshje interesante, por vendaset u treguan më të vëmendshme dhe fituan 83:78.

Te Penza më e dalluara ishte Gabrielle Cooper me 23 pikë, 13 kërcime dhe 9 asistime, ndërsa te Bashkimi më e mira ishte Aisha Balarabe me 15 pikë e 17 kërcime.

Skuadra pejane ka 10 fitore e gjashtë humbje, kurse ajo prizrenase 14 fitore dhe dy humbje.

Vëllaznimi ka shënuar fitore të pritur ndaj Kastriotit 108:78 (29:25, 23:19, 30:13, 26:21).

Te skuadra kuqezi u dalluan dyshja amerikane Raven Baker me 45 pikë, 14 kërcime e 15 asistime dhe Sarah Mgbeike me 36 pikë, 28 kërcime dhe 7 asistime, kurse te Kastrioti u dalluan Agnesa Rrahmani me 37 pikë, Andrea Iavarone me 14 pikë e 14 kërcime dhe Armani Alexander me 20 pikë.

Vëllaznimi ka 11 fitore dhe pesë humbje, ndërsa Kastrioti dy fitore dhe 14 humbje.

Prishtina ka shënuar fitore bindëse ndaj Trepçës 107:34 (29:6, 26:18, 31:3, 21:7). Gjashtë lojtare shënuan pikë dyshifrore te skuadra prishtinase, por më e dalluara ishte Alexis Tolefree me 21 pikë, derisa te skuadra mitrovicase u dallua Allison Johnson me 28 pikë.

Prishtina ka 10 fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa Trepça një fitore dhe 15 humbje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat