Sigal Prishtina e ka mposhtur skuadrën e Bashkimit me rezultat 89:82 (22:13, 23:22, 23:28, 21:19).
Prishtinasit shënuan fitore shumë të rëndësishme kundër prizrenasve, në kuadër të xhiros së 28-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll, përcjell KosovaPress.
Pavarësisht humbjes sot, Bashkimi së bashku me Sigal Prishtinën vazhdojnë për në Play-off, pasi që kanë pikët e barabarta, respektivisht nga 39 pikë, ku në kuotën e njëjtë të pikëve gjendet edhe skuadra e Trepçës.
Por kur tre skuadra kanë pikët e njëjta, atëherë shikohen ndeshjet direkte mes tyre, dhe si pasojë e kësaj Trepça do të luajë në Play-out me finalistin e Ligës së Parë.
Sa i përket ndeshjes, Prishtina e filloi shumë mirë, ku setin e parë e mbylli në avantazh 22:13. Po ashtu edhe seti i dytë i takoi kryeqytetasve, ku rezultati ishte 23:22.
Në setin e tretë, Bashkimi ishte skuadër më e mirë, ku rezultati i takoi atyre 28:23, kurse në setin e katërt prizrenasit nuk arritën ta mbyllin me rezultat të favorshëm, pasi që Sigal Prishtina triumfoi 21:19.
Rezultati përfundimtar ishte 89:82 në të mirë të Sigal Prishtinës.
Te Prishtina u dallua Tevin Mack me 38 pikë, kurse te Bashkimi u dalluan Obinna Oleka me 22 pikë e 11 kërcime dhe Julian Hamati me 14 pikë e 11 kërcime.