Sot (e diel) zhvillohen dy ndeshjet e fundit në kuadër të javës së 28-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Njëherit, java e 28-të është edhe java e fundit për sezonin e rregullt në elitën e basketbollit të Kosovës.
Vëmendja kryesore sot do jetë në “Mizahir Isma”, aty ku nga ora 17:00 takohen Rahoveci dhe Golden Eagle Ylli.
Këto dy skuadra janë në garë direkte për vendin e dytë. Të dy skuadrat kanë grumbulluar nga 44 pikë dhe sot është përballje vendimtare për pozitën e dytë që siguron kalimin direkt në gjysmëfinale të “Play-off”-it.
Ndeshja tjetër zhvillohet nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi”, mes Pejës dhe Vëllaznimit.
Kjo ndeshje nuk ka ndonjë rendësi, pasi pejanët kanë siguruar pozitën e katërt, kurse gjakovarët tashmë janë përshendetur me Superligën.