Pas përfundimit të dy fazave të para të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për meshkuj e femra (janë luajtur 10 javë deri më tani), do të jetë radha e Kupës së Shqipërisë. Duke nisur nga data 15 prill me femrat dhe 16 prill me meshkujt, do të luhen ndeshjet e para të këtij eventi.
Në këtë event do të marrin pjesë 6 ekipe për femra dhe 12 për meshkuj. Te meshkujt, ekipet janë ndarë në dy grupe, A dhe B, ndërsa te femrat ato janë në një grup të vetëm. Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë do të luhen përgjatë këtij muaji me sistem grumbullimi, në të dyja sallat e Akademisë “Dhimitraq Goga” në Durrës.
Në fakt, te femrat, janë luajtur dy ndeshje eliminatore me 3 ekipet më të dobta pas përfundimit të dy fazave të para të kampionatit, ku u kualifikua skuadra e Sh.K.B.Tiranës. Ajo do të vijojë garën për këtë trofe me 5 skuadrat e tjera: Studenti, Tiranën, Flamurtarin, Partizanin dhe Vllazninë.
Te meshkujt, në Grupin A janë ekipet e Vllaznisë, Flamurtarit, Eagles Basket, Kamza Basket, Teutës dhe Elbasanit. Ndërsa në Grupin B janë skuadrat e Partizanit, Skënderbeut, Tiranës, Apolonisë, Goga Basket dhe Dinamos.
Sipas kalendarit të publikuar nga Federata Shqiptare e Basketbollit, femrat do të luajnë çdo dy ditë (15, 17, 19, 21, 23 prill). Po ashtu edhe meshkujt, një ditë njëri grup e një ditë grupi tjetër. Në total, çdo ekip do të zhvillojë nga 5 ndeshje brenda grupit.
Sipas formulës të aktivitetit, te femrat, 4 ekipet më të mira do të shkojnë në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Ndërsa te meshkujt, në gjysmëfinale, do të shkojnë dy ekipet e para të çdo grupi. Gjysmëfinalet do të luhen më 28 prill, si për meshkuj ashtu dhe për femra dhe më 29 prill do të luhen finalet.
Kupa e Shqipërisë – Femra
Dita 1 – 15 prill
Partizani – Vllaznia, 14:00
Studenti – SH.K.B.Tirana, 16:00
Tirana – Flamurtari, 16:00
Kupa e Shqipërisë – Meshkuj
Dita 1 – 16 prill
Vllaznia – Flamurtari, 16:00
Eagles Basket – Kamza Basket, 18:00
Teuta – Elbasani, 20:00
Kupa e Shqipërisë – Meshkuj
Dita 1 – 17 prill
Partizani – Skënderbeu, 15:00
Tirana – Apolonia, 17:00
Goga Basket – Dinamo, 18:00.