Në Prizren u zhvillua lojë dramatike deri në sekondat e fundit në kuadër të ndeshjes së dytë të play-off-it të gjysmëfinales së Kampionatit të Kosovës.
18 sekonda pa përfunduar takimi, rezultati ishte baras (99:99). Një finale dramatike dhe me emocione të mëdha.
Ndeshja në kohën e rregullt mes Ponte Prizrenit dhe Pejës përfundoi baras (99:99) dhe pas vazhdimeve Ponte Prizreni ka shënuar fitore me rezultat 112:111 (27:21, 34:24, 23:34, 15:20 – 13:12).
Ponte Prizreni ishte në epërsi me 61:45 në minutën e 20-të, por kjo epërsi u shkri nga pejanët në dy çerekët e fundit.
Pas vazhdimit pesë minutash, prizrenasit shënuan fitore me rezultat 112:111.
Divine Miracl Myles me 30 pikë, i ndihmuar nga Landon Taliaferro me 28 e Kwame Vaughn me 25, ishin më efikasit të Ponte Prizreni.
Basketbollisti i Pejës, Dardan Berisha, sonte ishte në formën më të mirë, duke shënuar 43 pikë, i ndihmuar nga Brandon Walters me 23 e Aj Walton 20.
Ndeshja barazohet në seri të fitoreve me rezultat 1:1 dhe skuadra me tri të fituara do të kualifikohet në finale.