Basketbollisti Kawhi Leonard, 2 herë kampion i NBA, është operuar pas dëmtimit në gju gjatë fazës play off. Lojtari i Clippers u dëmtua në gjysmëfinalen e katërt ndaj Utah Jazz, ku pësoi një dëmtim të ligamentit kryq të gjurit të djathtë.
Lajmin e konfirmoi skuadra e Clippers: “Kawhi Leonard është operuar për të rikuperuar dëmtimin e ligamentit kryq të pjesës së përparme të gjurit të djathtë. Ende nuk ka asnjë datë zyrtare për rikthimin e tij në fushë”.
Një komunikatë e thatë, që vë në dilemë edhe të ardhmen e lojtarit, që nga 2 gushti do të jetë “free agent” (lojtar i lirë). Por me këtë operacion, që pritet ta mbajë gjatë larg fushave, e ardhmja e tij është në dilemë.
Leonard, dy herë MVP i finaleve, nuk do të jetë në dispozicion të Clippers në tetor, kur nis sezoni i ri. gjithçka varet nga shkalla e dëmtimit, gjë që nuk e thonë si klubi ashtu dhe lojtari. Me shumë gjasa, ai do të rikthehet të luajë vitin tjetër (pranverë 2022) ose të mos luajë për një sezon të tërë.