Disa qytete në Amerikë, si Nju Jorku dhe San Françisko, e kanë bërë të detyrueshme vaksinën anti-Covid për të gjithë ata që duan të stërviten dhe të merren me sport profesionist. Për këtë arsye, ekipet e NBA si New York Knicks, Brooklyn Nets dhe Golden State Warriors, që luajnë e stërviten në këto qytete, rrezikojnë shumë në prag të sezonit të ri 2021-2022 nëse lojtarët nuk vaksinohen.
Sipas ligjeve që kanë nxjerrë këto qytete, sportistët e pavaksinuar, nuk mund të hyjnë dhe të stërviten në palestra apo stadiume.
Madje ata nuk do të lejohen të hyjnë në stadium për të luajtur ndeshjet e kampionatit. Ata do të lejohen vetëm në rast se kanë një vërtetim mjekësor që i ndalon të kryejnë vaksinën anti-Covid.
Kjo do të thotë që basketbollistët e pavaksinuar të New York Knicks, Brooklyn Nets dhe Golden State Warriors nuk mund t’i luajnë ndeshjet në fushën e tyre (ata të vaksinuar mund të luajnë e stërviten). Kjo vlen edhe për ata basketbollistë të ekipeve të tjera, të cilët nuk janë vaksinuar dhe vijnë të luajnë në këto qytete. Ata s’do të lejohen të hyjnë në stadium.