Kampionja e Kosovës, Penza nga Peja, po përgatitet për përballjen e madhe të gjysmëfinales së Superkupës Mbarëkombëtare, kundër kampiones së Shqipërisë, Flamurtarit të Vlorës.
Përballja zhvillohet me 13 tetor (16.00) në palestrën e sportit në Vlorë.
Basketbollistja e Penzës, Jeta Zeka, tha se po përgatiten për këtë sfidë emocionuese
Ajo shprehet se janë të motivuar pas fitimit të trofeut të Superkupës së Kosovës, pas fitores me rezultat 77:71 ndaj Prishtinës.
Zeka, prej basketbollisteve më të mira në vendin tonë, tha se secili ekip (Penza, Partizani, Flamurtari e Prishtina) ka dëshirë që të fitojë trofeun e Superkupës Mbarëkombëtare.
Si e sheh përballjen me Flamurtarin e Vlorës?
“Secila nga 4 ekipet pjesëmarrëse ka dëshirë për të fituar këtë trofe të çmueshëm, që po ndodh për herë të parë në histori për konkurrencën e femrave.
Triumfi në Superkupën e Kosovës ditë më parë na ka motivuar edhe më shumë për të vazhduar rrugën drejt sukseseve të reja.
Ne jemi duke u përgatitur maksimalisht, ekipin kundërshtar në gjysmëfinale nuk e njohim shumë mirë por besoj që do të jemi të gatshme dhe do të japim gjithçka nga vetja për këtë sfidë të madhe”, thotë Zeka për gazetën kombëtare “Bota sot”.