Dy skuadrat Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli do të takohen sot në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare.
Duelet gjysmëfinale u zhvilluan gjatë ditës së djeshme (e shtunë), gjersa dy skuadrat kosovare mposhtën ato shqiptare për të siguruar finalen.
Skuadra suharekase, Golden Eagle Ylli ishte skuadra e parë që e siguroi biletën për finale, duke e mposhtur kampionin e Shqipërisë sezonin e kaluar, Teutën e Durrësit, me rezultat të përgjithshëm 71:89.
Në anën tjetër, skuadra nga kryeqyteti, Sigal Prishtina i’u bashkua Yllit në finale pasi mposhti skuadrën tjetër nga Shqipëria, Vllazninë e Shkodrës, me rezultat të përgjithshëm 72:80.
Golden Eagle ishte fitues i titullit të Superligës së Kosovës dhe fitues i titullit të Ligës Unike në eventin e parë të inauguruar vitin e kaluar, gjersa Sigal Prishtina ishte fituese e Kupës së Kosovës, e cila e mposhti në finale pikërisht skuadrën suharekase.
Kjo është hera e parë që organizohet Superkupa Mbarëkombëtare nga Liga Unike, e ndihmuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe Federata Shqiptare e Basketbollit.
Finalja do të zhvillohet më 17 tetor, e dielë, në ora 19:00 në Shkodër.