Për herë të parë në Kosovë, është hapur Qendra Nacionale e Basketbollit, ku janë përzgjedhur lojtarët me potencial për të ardhmen.
Në këtë qendër nacionale janë grumbulluar 16 lojtarë (13-14 vjeç) nga e gjithë Kosova, ndërsa do të mbikëqyren nga trajnerët Valentin Spaqi, Driton Obërtinca dhe Arben Krasniqi. Në vitin e ardhshëm ky projekt do të fillojë edhe në konkurrencën e femrave.
Basketbollistët e selektuar janë grumbulluar në Qendrën Social-Edukativo “Don Bosko” në Prishtinë. Ata do të stërviten dy herë në ditë gjatë pesë ditëve të javës, kurse në fundjavë do të luajnë në klubet e tyre. Gjithashtu do të kenë shumë ndeshje miqësore, si dhe do të luajnë ndaj shteteve tjera.
Ky është një projekt i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës, ku do të grumbullohen lojtarët/et me potencial për të ardhmen, e më pas do të jenë pjesë e përfaqësueseve zinxhirore.