Basketbollistet e KBF Junior 06 kanë regjistruar edhe fitoren e tretë në këtë edicion. Pas triumfit ndaj Pejës 03 dhe Kaçanikut, vashat przrenase e kanë mposhtur edhe ekipin AA Kerasan Prishtina me shifrat 64:58.
Loja ka nisur me rivalitet të plotë, mirëpo prishtinaset, të cilat u treguan më agresive në mbrojtje, ia dolën ta mbulojnë Yllza Ukën dhe kjo ndikoi në efikasitet të ulët të vendëseve. Në çerekun e parë prizrenaset shënuan vetëm 7 pikë, derisa
udhëtueset falë treshes: Rexhaj, Tuhina dhe Tahiri realizuan 17 sosh.
Dhjetëminutëshi i dytë u zhvillua më i nivelizuar. Uka dhe Bilalli shënuan nga 5 përkatësisht 6 pikë.
Po ashtu në këtë pjesë realizoi edhe Sagdati. Në anën tjetër mysafiret shënuan 11 pikë. Kjo bëri që skuadrat të shkojnë në pushim me rezultaz 20:28.
Pjesa e dytë ishte krejtësisht ndryshe. Vashat e trajnerit Ramush Rushiti të prira nga dyshja: Morina - Gashi, që së bashku realizuan nga 8 pikë, shkrinë epërsinë në vetëm 2 pikë. Me shifrat 42:44 u përmbyll çereku i tretë.
Fituesi pritej të përcaktohej në periudhën e katërt. Kështu edhe ndodhi. Yllka Morina me 13 pikë dhe 4 pikët e Yllza Ukës, si dhe pikët e Bilallit, Klea Gashit e Hysenit humbjen e kthyen në fitore. 64:58 ishte rezultati përfundimtar i kësaj përballbeje, në të cilën ka shkëlqyer Yllka Morina me 24 pikë dhe mbi dhjetë kërcime. Për këtë fitore kanë kontribuar edhe Yllza Uka me dyshifror të dyfishtë, 11 pikë e 12 asistime, Merisa Bilalli me 10 pikë e po kaq kërcime, Nejlla Sagdati me 4 pikë, Shpresa Hyseni me angazhim të jashtëzakonshëm, si dhe Klea Gashi që realizoi 11 pikë, një treshe shumë domethënëse ne periudhën e tretë.
“Falënderoj lojën angazhuese të të gjitha lojtareve, të cilat edhe i përgëzoj për këtë fitore mjaft të mundimshme. Ne do të vazhdojmë me ndeshje të mira dhe me fitore edhe në të ardhmen.
Ndërkohë do të ngrisim cilësinë e lojës dhe të lojtarëve sidomos tani pas ardhjes në mesin tonë të trajnerit të njohur malazez, Miki Grbavceviç. Një falëndetim i veçantë shkon edhe për sponsorët e klubit tonë, si dhe enkas falënderoj TV Prizrenin që e transmetoi direkt këtë ballafaqim, i cili u përcoll nga një numër i madh shikuesish”, tha trajneri Ramush Rushiti.