Ish-basketbollistja amerikane Lusia Harris, e vetmja grua që u përzgjodh zyrtarisht në draftin e NBA-së, vdiq të martën në moshën 66-vjeçare, njofton sot familja e saj.
“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se engjëlli ynë, shtylla jonë, motra jonë, nëna jonë, gjyshja jonë dhe fituesja e medaljes olimpike, mbretëresha e basketbollit Lusia Harris, ka ndërruar jetë papritur”, thuhet në njoftim.
Harris kohët e fundit ishte subjekt i një dokumentari dhe njihet më së shumti për përzgjedhjen në Draft të NBA nga ekipi i New Orleans Jazz në 1977.
“Mbretëresha e basketbollit” u zgjodh në draft pas paraqitjes së saj në Lojërat Olimpike në Montreal në vitin 1976, ku fitoi një medalje argjendi në paraqitjen e saj debutuese në atë sport në konkurrencën e femrave.
Me Universitetin Shtetëror Delta, ajo fitoi tre tituj në Ligën e Kolegjit dhe luajti në Ligën Profesionale të Basketbollit të femrave nga 1979 deri në 1980.