Të enjten e ardhshme, më 10 shkurt, mbyllet merkatoja e NBA-së. Shumë skuadra janë duke u përpjekur për të përmirësuar organikën apo për të hequr qafe lojtarë që nuk kanë përmbushur pritshmëritë, por kanë paga shumë të larta.
Në këtë situatë, një nga transferimet “bombë” në pesë ditët e ardhshme (ose në orët e ardhshme) do të ishte transferimi i Ben Simmons te Nets në këmbim të James Harden.
Gazetari prestigjioz, Shams Charania, nga “The Athletic”, një nga “gurutë” e NBA-së, nuk thotë diçka që nuk ka një bazë. Ai siguron se Sixers do të trokasin në derën e Nets në orët e ardhshme për t’u ofruar Ben Simmons për James Harden. Ekipi i Bruklinit është i hapur për të diskutuar mbi një marrëveshje të mundshme.
Sixers, gjithmonë sipas informacioneve të tyre, do t’u ofrojnë Nets një kombinim lojtarësh dytësorë, ku mund të përfshihen: Seth Curry, Tyrese Maxey dhe Matisse Thybulle, për ta bërë ofertën e tyre më tërheqëse.
Netsat nuk e kanë me nxitim, sepse ata ende mendojnë se kanë një skuadër për të luftuar për Unazën e NBA-së, pavarësisht ecurisë negative prej shtatë humbjesh radhazi.
Megjithatë, ata janë të gatshëm ta studiojnë operacionin nëse mendojnë se në marrëveshje marrin lojtarë që mund të rrisin nivelin e përgjithshëm të ekipit.
James Harden refuzoi të nënshkruante një zgjatje afatgjatë të kontratës së tij, e cila përfundon këtë sezon, duke nxitur thashethemet se qëllimi i tij ishte të largohej nga skuadra në këtë merkato dimërore. Kjo i mërziti tifozët e Netsave, të cilët besojnë se “Mjekroshi” i famshëm i NBA-së tashmë i ka bërë gati valixhet për të shkuar te një ekip tjetër në fund të sezonit.